Konfederata e Industrive të Shqipërisë ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimit të naftës, e cila kap vlerën 248 lekë/litër.
Përmes një njoftimi zyrtar Konfindustria i ka bërë thirrje Kuvendit që të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme për të ngritur Entin Rregullator të Karburanteve.
Sakaq shton se vendimet e Bordit të Transparencë janë ‘taksë speciale shtesë’ karshi qytetarëve dhe bizneseve, ku thekson se kjo e fundit rrit artificialisht të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe favorizon qartësisht kontrabandën masive të karburanteve.
Reagimi i plotë:
Konfindustria kërkon ndërprerjen e pushimeve të verës dhe mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Shqipërisë me qëllim ngritjen e Entit Rregullator të Karburanteve/ERRK dhe si rrjedhim zhbërjen e Bordit të Transparencës. Kërkesa vjen pas vendimeve të njëpasnjëshme dhe të vazhdueshme të BT në kundërshtim me interesin publik, që prodhon pasoja mjaft të rënda në afatgjatë të krizës ekonomike, falimentime masive, papunësi, emigracion dhe deri me rrezikun e cënimit të qëndrueshmërisë shoqërore dhe kushtetuese të shtetit.
Konfindustria vlerëson, se nisma në fjalë do të tregojë pikërisht integritetin e partive dhe deputetëve, që mbrojnë interesin publik, janë të pakapur nga karteli i karburanteve dhe interesat afatshkurtëra politike. Vendimet e BT në thelb janë “taksë speciale shtesë” për bizneset dhe qytetarët, që rrit artificialisht të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe favorizon qartësisht kontrabandën masive të karburanteve.
Vendimi i fundit i BT i datës 27/8/2022 ka thelluar më tej ndryshimin në çmimin e naftës, që bizneset dhe qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë krahësimisht shteteve të Rajonit. Sot nafta/diezel në Shqipëri është përkatësisht afërsisht 33% dhe 25% më e shtrenjtë sesa në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, që furnizohen në të njejtat tregje ndërkombëtare. Bizneset dhe qytetarët shqiptarë paguajnë 0.5-0.6 euro/litër më shtrenjtë naftën sesa shtetet e sipërpërmendura. Shqipëria, përpara rritjes së fundit të çmimeve, ishte vendi i 11 në renditjen botërore për shtrenjtësinë krahësimore të karburantit. Konfindustria rikërkon nga deputetët e të gjitha partive pa dallim, që në sesionin e jashtëzakonshëm të Kuvendit, të marrin nismën ligjore për themelimin e ERRK, si agjenci e përhershme, profesionale, në varësi të Kuvendit dhe sipas modeleve të suksesshme të rajonit. Bordi i Transparencës është ndërtuar dhe funksionon në kushtet e konfliktit të pastër dhe flagrant me interesin publik. Gjysma e anëtarëve të tij, që furnizojnë me të dhëna dhe janë pjesë e vendimmarrjes, përfaqësojnë pikërisht kompanitë, që duhet të jenë subjekt i vëzhgimit për spekullime në treg.