Fedir Alpatov, ukrainasi i cili u kap së bashku me 2 rusët në Uzinën e Gramshit, mes dyshimeve që është spiun, ka ankimuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ duke kërkuar një masë më të lehtë. Në dokumentin e mëposhtëm Alpatov kërkon që të lihet në ‘detyrim paraqitje’ dhe jo në burg deri në përfundim të hetimeve. Ai thotë se duhet të vazhdojë shkollën që të mos humbasë vitin, duke theksuar se nuk ka asnjë rrezikshmëri për t’u arratisur.
“Kërkojmë caktimin e masës së sigurimit siç është ajo e “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, datën dhe orën e lëmë në çmim të gjykatës në bazë të nentit 234 të KPrP dha ndalimin për të dalë jashtë shtetit me qëllim që t’i jepet mundësia për të vazhduar shkollën pasi nuk dëshiroj që të humbasë vitin shkollor. Duke ju garantuar se së bashku me mbrojtësin do jem në dispozicion të organit të akuzës deri në sqarimin e plotë të pozitës sime proceduriale lidhur me akuzës që më është njoftuar”, shkruhet në dokument. Avokati i tij, Saimir Vishaj thotë se ndalimi i tij ka qenë jo i drejtë pasi, Alpatov nuk është spiun, por një njeri që ka hobi fotografimin e bunkerëve dhe reparteve të braktisura.
“Nuk ka qenë në vendin e ngjarjes kur është hedhur Spraj neoparalizues dhe së dyti nuk ka asnjë lidhje me asnjë agjenci spiunazhi, qëllimi i vërtetë i ardhjes në Shqipëri ka qenë për hobi për të shkuar në vendet ish-komuniste dhe fotografimi i bunkerëve apo reparteve të braktisura duke i nxjerrë më pas në rrjetet sociale, instagram. Në Shqipëri ndodhej për pushime ku lekët e sekuestruara prej 6000$ ia kishte dhënë mamaja e tij, Ilona për pushime të cilat janë sekuestruar”, vijon dokumenti.
Avokati i tij sjell në vëmendje deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se ish reparti ushtarak i Gramshit është i deklasifikuar në 2012 dhe nuk mund të shërbejë si cenim i sigurisë kombëtare. Nisur nga ky argument i dhënë nga kryeministri Rama, Vishaj thotë se nuk jemi përpara një vepre penale që vë në rrezik pavarësinë kombëtare.
Dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe ukrainasi Fedir Alpatov mbahen në burg që prej datës 20 gusht, ditë kur dhe ndodhi incidenti në uzinën e Gramshit. Mikhail Zorin u konfiktua me 2 ushtarët shqiptar që e pikasën, Albi Bici dhe Ardian Xhaka, ndërsa Svetlana Timofoeva dhe ukrainasi po qëndronin në një makinë “Chevrolet camaro” me targa ukrainase AX 6200 IP. Të tre u vunë në pranga dhe akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim./shqiptarja