Avokati Saimir Vishaj, duke komentuar vrasjen e Everest Çakës në Elbasan, tha gjatë emisionit Live se, duke analizuar dhe tipologjinë e autorëve, deklaroi se vrasja është bërë nga profesionistë duke shkuar edhe më tej, duke i cilësuar si Forca Speciale.
“E kanë bërë Forca Speciale. Mënyra si po realizohen këto vrasje duhet që të ulin me këmbë në tokë shtetin. Ngjarjet me precizion të saktë, këtu situata është alarmante sepse kemi një mënyrë ekzekutimi.
Flas me gjuhën e penalisti…janë kambana alarmi. Policinë po e lodhin për kapjen e personave pa patentë. Ai drejtor i paaftë që kemi arreston intelektuale…”,- u shpreh avokati.
Eksperti i sigurisë, Ergys Muzhaqi, argumenton se, metodat e policisë dhe grupeve hetimore janë po të njëjtat. “Pak a shumë punohet me të njëjtët njerëz dhe të njëjtat metodologji klasike, ndërkohë që qyteti është i shqetësuar dhe krimi është shumë para. Është e dhimbshme, sepse sado i sofistikuar të jetë krimi, bëhet fjalë për një qytet si Elbasani me mbi 400 mijë banorë”,- thotë Muzhaqi, duke iu referuar vrasjes së Everest Çakës, një ditë më parë në Elbasan.
Sipas tij, krimi ka avancuar më shumë pas liberalizimit të krimit. “Kjo gjendje e rënduar nuk është e re. Për sa i përket mënyrës së operimit, është zhvilluar me liberalizimin e vizave. Lidhjet që kanë krijuar me grupet jashtë, i ka mundësuar që nga banda lokale dhe me aktivitet të ulët, të kalojnë në banda të mëdha, në nivele më të rëndësishme”,- shpjegon eksperti në emisionin “Open”.
Më tej, shton se eksponentët e krimit janë të njëjtët dhe organet kompetente duhet të bëjnë më shumë për identifikimin e tyre. “Kemi të bëjmë me grupe të njëjta. Shumica janë grupe personash, që kanë konflikte të hershme, të njohura”.
/Burimi: TCh/