Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit, Gledis Nano është shkarkuar me vendimin e qeverisë.
Ndonëse nuk kishte mbushur një vit nga marrja e detyrës Nano u shkarkua ditën e sotme me shkakun se “nuk kishte përmbushur objektivat” për postin që i ishte caktuar.
Gledis Nano mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në Tetor 2021 nga paraardhësi i tij Ardi Veliu.
Por kush është Gledis Nano?
Gledis Nano ka qenë pjesë e bluve prej shumë vitesh, ndërsa ka mbajtur detyra të rëndësishme.
Që prej 17 shkurtit 2016 ka qenë në krye të Drejtorisë së Antiterrorit. Gjatë të gjithë karrierës Nano ka kryer detyra të ndryshme në polici ku ka pasur rezultate në zbulimin e ngjarjeve të rëndësishme.
Gledis Nano, si pjesë e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, por jo si drejtues, është kujdesur për njërën prej dosjeve më të bujshme të viteve të fundit, atë të “imamëve” që u arrestuan dhe dënuan për terrorizëm, në vitin 2003.
Gledis Nano po ashtu drejtoi të gjithë operacionin sekret të dëbimit një muaj më parë të diplomatëve iranian nga Shqipëria në vitin 2019.
Gjithashtu, Gledis Nano ka udhëhequr operacionin për të nxjerrë nga Kampi Al Hol në Siri, shtetasit shqiptarë që mbaheshin aty, mes të cilëve edhe Alvi Berishën. Ndërsa në gusht të këtij viti, Gledis Nano ishte sërish protagonist i riatdhesimit të grave dhe fëmijëve shqiptarë nga kampi famëkeq.
Puna e kryer si drejtues i Antiterrorit, i rriti kredencialet Gledis Nanos edhe në sytë e amerikaëve, të cilët nuk kanë hezituar ta vlerësojnë.
Ai u emërua si Drejtor i Përgjithshëm në 6 tetor 2021 pas dorëheqjes së Ardi Veliut dhe e ka mbajtur këtë detyrë për vetëm 10 muaj.
Ai ka qenë në “garë” për këtë post të rëndësishëm përballë Edmond Rizaj, drejtorit të hetimit të krimit, por në fund Çuçi i çoi si propozim Këshillit të Ministrave emrin e Nanos.