Një ditë para nisjes së reciprocitetit për dokumente, Serbia me njoftim në kufi

Një ditë para se Kosova dhe Serbia të nisin reciprocitetin për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për qytetarët e tyre që kalojnë kufirin midis dy shteteve, Serbia ka vendosur në pikëkalime kufitare një njoftim.

Në pikëkalimin kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë, në anën e Serbisë, janë vendosur njoftime ku thuhet se me mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike” që të bëhet më e lehtë liria e lëvizjes, bazuar në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që palët arritën në dialogun e Brukselit më 2011.

“Kjo nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës; nuk paragjykon përcaktimin e statusit final të Kosovës; nuk mund të interpretohet si heqje dorë nga Beogradi për të drejtat e dhëna nën Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e vendosur pranë pikave të kontrollit kufitar.

Njoftimi i vendosur nga Serbia në Jarinjë.

Më 27 gusht, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për heqjen e lëshimit të dokumenteve për hyrje-dalje. Serbia për 11 vjet ka lëshuar dokumente të tilla për shtetasit e Kosovës me të hyrë në territorin e Serbisë. Këtë pjesë të Marrëveshjes së lirisë së lëvizjes së vitit 2011, Kosova e aplikoi vetëm për disa orë më 1 gusht.

 

Takimi i fundit në kuadër të dialogut, ku Kosova dhe Serbia kishin diskutuar për dokumentet për targat serbe, por nuk kishin arritur marrëveshje. Bruksel, 18 gusht 2022.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për dokumentet për hyrje-dalje dhe ai për riregjistrimin e makinave me targa serbe, rriti tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit, që kulmuan me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht.

 

Por, pasi serbët lokalë hoqën barrikadat pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës u pajtua që të shtyjë zbatimin e dy vendimeve për 1 shtator.

Për këto dy vendime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht u takuan në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian. Por, ky rund përfundoi pa marrëveshje.

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *