Kryeministri Edi Rama gjatë dëgjesës publike me federatat sportive për problematikën e basteve online në të zezë dhe propozimin për formalizimin e tyre, gjeti kohën që të bënte edhe disa batuta me kampionen më të re të Europës në garën 3000 metra, Luiza Gegën.
Rama tha se ishte Luiza ajo që donte ta mbyllte takimin me fjalën e saj, por është më mirë që kampionia e atletikës të mos flasë, pasi do të “shpërthejnë” kundër saj, duke thënë se shkoi u shit për një bast.
“E dija që donte të fliste Luiza, por më mirë të mos flasë se do thonë që ja u shite për një bast, shkove atje. Mos fol më mirë se do të marrin kot përpara. Se këtu një pjesë e atyre që u gëzuan shumë për ty, janë ata që s’më duan mua. Kur e panë që ne të dy duhemi, e kanë me ty jo me mu. Se kujtojnë se unë jam djalli që të kam bërë magji. Se kanë kuptuar që për ne është detyrim, është nder. Mund ta kishim bërë që në fillim sigurisht, por që tani çdo kampion që do të marri medalje olimpike, ne do ta ndihmojmë, se e meritojnë dhe për të stimuluar më shumë të tjerët që të duan të jenë si ata. Kjo bëhet në të gjitha vendet perëndimore. Kemi pritur Kombëtaren këtu siç pritëm Luizën, kështu që ça meritash do marrim ne, veçse t’i bënim nderimin”, tha Rama.