Bledar Birçaj u vra në Vlorë në lagjen “Hajro Çakëri” në një atentat të mirëorganizuar. Dy persona të maskuar i dolën në rrugë dhe e qëlluan me kallashnikov, ndërsa viktima po udhëtonte me makinën e tij. Birçaj ndërroi jetë menjëherë.
Avokati Spartak Ngjela është shprehur se në vrasjen e biznesmenit Bledar Birçaj, e kanë organizuar shërbimet e agjenturës. Përmes një lidhjeje me Skype, në emisionin “Open”, Ngjela tha se fakti që në një makinë me Birçajn ishte edhe një agjent i anti-drogës, tregon se ai mund të jetë vrarë nga vetë shteti dhe se polici ka qenë i kamufluar.
“Nuk jam fort brenda krimi, por fakti që me të ka qenë dhe një agjent anti-drogë….shiko në Perëndim këta i vret vetë shteti. I vret shteti me shërbimet e agjenturës. Vjen një moment që krimi i organizuar mund shtetin. Në këtë moment hyn në veprim shërbimet.
Në Shqipëri nuk e di se cilat shërbime futen. Kjo është një vrasje që kanë dorë shërbimet e agjenturës. Të paktën kështu mendoj unë, duhet ta shohim çështjen në disa këndvështrime. Shërbimet godasin krimin e organizuar dhe nuk e bëjnë me dorën e tyre.
Rekrutohen dhe veprojnë në momentin e duhur. Nuk e di mirë se si është kjo ngjarje, por duhet të analizojmë çdo gjë. Dhe këta agjentë që rekrutohen e janë në shërbim, kur ndodh ngjarja s’ka çfarë t’i bëjë ligji. Mos kujtoni se nuk ka dorë shërbimi në këto ngjarje”, përfundoi Ngjela.