Besimtarët myslimanë festojnë sot një ditë të rëndësishme për kalendarin islamik, Fiter Bajramin. Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fiter Bajramit pas 30 ditëve të agjërimit, në muajin e shenjtë të Ramazanit. Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një vizitë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, prej ku ka uruar besimtarët, por edhe për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Në një prononcim për mediat, kreu i shtetit tha se sakrificat e besimtarëve myslimanë duhet të frymëzojnë të gjithë qytetarët, për një shoqëri më solidare, më të drejtë e më të bashkuar.
“Ishte kënaqësi për të uruar sot vëllezërit e komitetit tonë myslimanë me rastin e festës së Fiter Bajramit, duke uruar të gjithë besimtarët, por edhe qytetarët shqiptarë, për të vlerësuar sakrificat e tyre, sidomos gjatë kësaj periudhe të vështirë, edhe për shkak të pandemisë.
Shprehim mirënjohje edhe për ndihmat që ata kanë dhënë për të sëmurët, të varfrit. Urojmë që këto sakrifica të na frymëzojnë të gjithëve, për një shoqëri më solidare, më të drejtë, më njerëzore, më të bashkuar dhe më në paqe”, tha Meta.
I pyetur nga gazetarët nëse do të paraqitet në seancën dëgjimore në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij, Meta u përgjigj shkurtër: “Vazhdojmë festën dhe mbarësi e gëzim të gjithëve”.