Presidenti i gjigantit rus të naftës Lukoil, Ravil Maganov, ka vdekur pasi ka rënë nga dritarja e një spitali në Moskë, shkruan BBC.
Maganov, 67 vjeç, po trajtohej në Spitalin Klinik Qendror të qytetit dhe vdiq pas lëndimeve që mori nga rënia, thanë burimet për mediat ruse.
Ai është i fundit nga një sërë drejtuesish biznesi të profilit të lartë që kanë vdekur në rrethana misterioze.Menjëherë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, kompania Lukoil bëri thirrje që lufta të përfundojë.
Në fillim të marsit, bordi i Lukoil bëri thirrje që konflikti në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ravil Maganov mori detyrën si kryetar i bordit të Lukoil dy vjet më parë. Ai filloi të punojë në kompaninë private të naftës në vitin 1993.
Në maj, një ish-menaxher i lartë në Lukoil, Alexander Subbotin, thuhet se vdiq gjithashtu në rrethana të pazakonta.
5 oligarkë rusë që vdiqën muajt e fundit –
Vdekja e Maganov nuk është e vetmja mbi të cilën qëndron pezull misteri. Nga fundi i janarit deri në fund të prillit, pesë menaxherë të tjerë të lartë dhe ish-menaxherë të kompanive ruse u gjetën të pajetë në rrethana të paqarta: Leonid Shulman, Alexander Tyulakov, Vasily Melnikov, Vladislav Avayev dhe Sergey Protosenya. Gjithsesi hipoteza kryesore hetimore është se ata kanë kryer vetëvrasje. Tre prej tyre dyshohet se kanë vrarë disa nga të afërmit e tyre përpara se të marrin jetën e tyre. Katër prej tyre kishin një lloj lidhjeje me gjigantin energjetik shtetëror Gazprom ose një nga filialet e tij.