Eksperimenti Moxie, prodhon në Mars aq oksigjen sa një pemë e vogël në Tokë

Eksperimenti Moxie në bordin e Roverit të NASA-s Perseverance  na ka treguar se oksigjeni për të marrë frymë në Mars mund të prodhohet në mënyrë të besueshme si ditën ashtu edhe natën dhe në çdo stinë të vitit.

Që nga zbarkimi në Planetin e Kuq në shkurt 2021, Moxie ka qenë në gjendje të nxjerrë oksigjen nga atmosfera marsiane në të gjitha kushtet, duke arritur qëllimin për të prodhuar gjashtë gramë në orë, aq sa mundet një pemë e vogël në Tokë.

Moxie ka madhësinë e një baterie makine dhe në vitin 2021 u përdor shtatë herë për disa orë secila, në mënyrë që të mos ndërhynte në operacionet e Perseverance.

Megjithatë, në të ardhmen, një version më i madh mund të dërgohet në Mars për të prodhuar vazhdimisht oksigjen, siç do të bënin disa qindra pemë.

Sipas studiuesve, një sistem i tillë mund të gjenerojë oksigjen të mjaftueshëm për të mbështetur astronautët që mbërrijnë në planet dhe për të fuqizuar një raketë për kthimin e tyre në Tokë.

Zëvendësshefi i Moxie, Jeffrey Hoffman i Mit tha se;

“Ky është demonstrimi i parë i përdorimit aktual të burimeve në sipërfaqen e një trupi tjetër planetar dhe transformimi i tyre kimik në diçka që mund të jetë e dobishme për një mision njerëzor. Në këtë kuptim është diçka historike”

Për të prodhuar oksigjen për frymëmarrjen, Moxie thith ajrin e Marsit dhe e pastron atë nga ndotësit përmes një filtri. Pasi të jetë nën presion, ajri dërgohet në instrumentin Soxe (Elektrolizer i oksidit të ngurtë), i cili zbërthen dioksidin e karbonit në jonet e oksigjenit dhe monoksidin e karbonit. Jonet e oksigjenit më pas izolohen dhe rikombinohen për të formuar oksigjen molekular të frymëmarrjes, prej të cilit Moxie mat sasinë dhe pastërtinë e tij përpara se ta lëshojë në mënyrë të sigurt në ajër, së bashku me monoksidin e karbonit dhe gazrat e tjerë atmosferikë.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *