Lazanja është një ndër llojet më të famshme të makaronave italiane, që garon me spagetin për nga fama. Për nga forma ato janë unike. Ju ngjajnë petave të gjera drejtëkëndëshe.
Ato gatuhen gjithmonë në shtresa me mbushje nga më tradicionalet deri tek më modernet. Raguja bolonjeze ka për bazë mishin e grirë, për vegjetarianët mbushja mund të bëhet me spinaq e rikota, kurse në recetën e Alfës surpriza janë salçiçet dhe pançeta.
Lazanjë
Koha e përgatitjes: 2 orë
Koha e gatimit: 20 minuta
Vështirësia mesatare
Për 4 persona
PërbërësitPër brumin: 300 gr miell “00”, 3 vezë
Për beshamelin: 70 gr gjalpë, 70 gr miell “00”, 1l qumësht i nxehtë, arrëmyshk, kripë.
Për mbushjen: 100 gr salçiçe, 100 gr pançetë në një fetë, 100 gr mish derri, 50 gr sallo, 250 gr domate të grira, 150 gr qepë, 1 degë rozmarinë, 1 thelb hudhër, 100 ml verë e bardhë, kripë& piper.
Përgatitja e brumit
- Hidhni miellin në formë piramide mbi një sipërfaqe pune. Hapni një vrimë në mes dhe hidhni vezët një nga një.
- Përziejini fillimisht me pirun dhe më pas me dorë, derisa të krijohet një brumë të butë dhe homogjenë.
- Mbulojeni me qese kuzhine dhe lëreni të pushojë në frigorifer për 30 minuta.
- Në përfundim të kohës, hapni brumin petë me trashësi 1mm dhe priteni në drejtkëndësha 10×12 cm.
- Ziejini petët e lazanjës në ujë të vluar me kripë për 1 minutë. Kullojini kur të jenë “al dente”. Kalojini në një enë me ujë me akull, që të ndalet procesi i gatimit.
- Vendoseni mbi në beze që të thahen.
Përgatitja e salcës beshamel
- a) Shkrini gjalpin në një tigan të thellë. Shtoni miellin dhe skuqeni derisa të zverdhet.
- b) Shtoni qumështin e ngrohtë , përziejeni të mos zër kokrra, rregullojeni me kripë dhe arrëmyshk. Salca duhet të dalë kremoze.
Përgatitja e mbushjes
- a) Grini qepën, hudhrën dhe rozmarinën. Tiganisini në një tenxhere dhe shtoni mishin e grirë të derrit, pançetën e prerë në kubikë të vegjël dhe salçiçen e copëtuar.
- b) Tiganisini për disa minuta derisa të marrin ngjyrë të kuqerremtë. Shuajini me verë të bardhë.
- c) Kur vera të avullojë, shtoni tulin e domateve të grira dhe lërini të gatuhen për 20 minuta. Rregullojeni me kripë& piper.
Ø Lyeni një tavë të thellë me gjalpë dhe shtroni një shtresë të hollë beshamel. Mbi të shtroni shtresën e parë të lazanjave.
Ø Mbulojini me mbushje, beshamel, djathë të grirë Parmigiano. Rreshtoni 4 shtresa të tilla.
Ø Piqini lazanjat në furrë të parangrohur në 180 gradë për 20 minuta.
Ø Shërbejini duke i hedhur sipër sallon e derrit të grirë imët.