Qeveria ka miratuar koncesionin për ofrimin e “Shërbimit të Infrastrukturës së Çelësave Publikë.
Në mbledhjen e radhës është vendosur që pajisja e bizneseve me certifikate elektronike tashmë të kaloj në privat .Deri më tani ofrimin e këtij shërbimi e ka pasur për detyrë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Pas këtij vendimi ngarkohet Ministria e Financave me hapjen e procedurës për të përzgjedhur kompaninë që do të ofrojë shërbimin e çelësit publik. Aktualisht bizneset e marrin dokumentin e certifikatës elektronike nga AKSHI , kundrejt një pagese prej 4 mijë lekësh në vit pasi në bazë të ligjit çdo biznes që lëshon faturë, duhet të të pajiset me certifikatë elektronike.
Por kalimi i këtij shërbimi në dorë të privatit është pritur me shqetësim nga ekspertët dhe vetë bizneset. Kjo për faktin se vetëm një muaj më parë të gjitha të dhënat e shqiptarëve u hakeruan në sistemin e-albania. Ekspertët theksojnë se kalimi i këtij shërbimi në privat, rrit pasigurinë për subjektet pasi do të menaxhohen të dhëna të cilat nuk u mbrojtën as nga shteti. Dhënia me koncesion i këtij shërbimi ishte parashikuar edhe në relacionin e buxhetit për vitin 2022.Vlera e kontratës është përcaktuar 208.8 milionë lekë.
Sipas të dhënave në vend rezultojnë aktive rreth 162 mijë biznese në vit të cilat në kuadër të fiskalizimit kanë për detyrë të pajisen me certifikatë elektronike./abc