Kryeministri Edi Rama ka komentuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi në samitin e “Ballkanit të Hapur” i cili po mbahet në Beograd.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se kjo është një nismë e cila nuk ka nevojë për komente por, flet vetë. Ai shton se askush nuk duhet të bëhet xheloz për ne dhe nuk duhet ta shohin me dyshim se pse janë ftuar turqit apo hungarezët.
Ndërkohë Rama ka komentuar edhe rritjen e eksportit nga Shqipëria drejt Serbisë apo Maqedonisë së Veriut. Ai thekson se edhe pse shifrat janë ende qesharake, ato janë inkurajuese më çfarë kanë qenë më parë.
“Dje mund të mos ishim fare këtu, mund të ishte ditë ku mediat do të shkruanin për atë që ndodh mes kufirit Serbi-Kosovë dhe tregoi se cila është rruga dhe zgjedhja e ‘Ballkanit të Hapur’. Sot dua ta them se edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është një zgjidhje e ‘Ballkanit të Hapur’.
Sot kemi kapacitete për të përballuar emergjencat. Po i krijojmë këto kapacitete. Faktet dhe shifrat përtej fjalëve flasin vetë. Mjafton të shikojmë sa është rritur eksporti nga Shqipëria drejt Serbisë apo Maqedonisë së Veriut. Po t’i shohim shifrat janë ende qesharake me çfarë duhet të jenë po janë inkurajuese me çfarë kanë qenë. Të gjitha këto lidhem me konsumatorët, jo me mua.
Kjo është lagjia jonë, një lagje me probleme të trashëguara. Mbetje kronike me të cilat duhet të luftojmë së bashku. Iu falenderoj shumë të gjithëve dhe jam i bindur që ‘Ballkani i Hapur’ nuk ka nevojë për justifikime. Kjo nismë flet vetë. Kush ka veshë për të dëgjuar dëgjon. Kush ka sy për të parë sheh.
Nga kjo nismë jemi të përfshirë për të nxjerrë maksimumin. Askush nuk duhet të bëhet xheloz për ne dhe nuk duhet ta shohin me dyshim, pse janë ftuar turqit apo hungarezët.
Jemi të mbrojtur se kemi ambasadorin amerikan këtu dhe do ta kemi gjithmonë. Së bashku kemi arritur të tregojmë një pasqyrë kuptimplotë të “Ballkanit të Hapur”, tha Rama.