Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, është rikthyer përsëri në radhët e bluve. Ministria e Brendshme përmes një njoftimi zyrtar, ka bërë me dije se Veliu është prezantuar si Drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Veliu ka zëvendësuar në këtë post, Muhamet Rrumbullakun, i cili përflitet se do të marrë postin e Drejtorit të Policisë së Shtetit.
Kujtojmë se, Ardi Velliu ka drejtuar Policinë e Shtetit, përpara se të zëvendësohej nga Gledis Nano. Së fundmi ai mbante postin si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, por u lirua nga kjo detyrë, për t’u rikthyer sërish në strukturat e policisë.
Njoftimi i plotë:
Prezantohet Drejtori i ri i AMP
U prezantua sot Drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Ardi Veliu, i cili zëvendēson nê këtë post zotin Muhamet Rrumbullaku.
Ish-Drejtori Rrumbullaku drejtoi Agjencinë me rezultate të larta në një proces reformimi, duke u shndërruar në një strukturë më civile në ushtrimin e kontrollit dhe mbikëqyrjen e Policisë së Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin Zjarrfikës.
Falë punës këmbëngulëse dhe intensive të AMP nën drejtimin e z. Rrumbullaku, Agjencia ka kaluar përmes një procesi transformues duke u shndëruar në pararojë e zbatimit të ligjit në kuadrin e goditjes së fenomeneve negative si paligjshmëria dhe korrupsioni në rradhët e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Rezultatet e arritura nga AMP gjatë kësaj periudhe, e kanë bërë Agjencinë një nga institucionet më të mbështetura nga publiku sa i përket reagueshmërisë dhe zbatimit të ligjit.
Drejtor Veliu emërohet në krye të AMP pas një përvoje të gjatë menaxheriale në strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe detyrës si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai u angazhua për vijimin e punës, në thellimin e reformave të nisura.