“Artisti i Merituar” Guljelm Radoja ka qenë i pastrehë, djali i tij rrëfen të pathënat

Djali i  “Artistit të Merituar” Guljelm Radoja, kthehet në teatër dhe rikujton emocionet e përjetuara me të atin në skenën ku ai u rrit. Redi Radoja ka dhënë një intervistë për “News 24″. Ai është shprehur se “më duket e pabesueshme, nuk e kam pranuar ende largimin e tij, më duket se do të dalë sërish në skenë. Do të shfaqet në teatër prapë, e do ikim së bashku për në shtëpinë tonë’’.

Redi jeton në Francë, dhe prej vitesh punon si pianist. Ndonëse shumica e njerëzve e njohin Guljelmin nga rolet e filmave, këtë herë djali tij do të na tregojë një version ndryshe, ashtu siç ai e njihte të atin.

‘’Babai ishte i thjeshtë, popullor , nuk i ka pëlqyer pompoziteti e ndoshta për këtë arsye na la amanet që edhe ceremoninë e varrimit ta kishte private, pa u kryer homazhe’’, zbulon ai.

‘’Mjekët i bënë gjithçka, Ministrja e Shëndetësisë më mori në telefon e më tha që nëse ne si familje do të donin ta kuronim jashtë shtetit, do ndërhynte Ministria, por ne si familje menduam që të gjitha shërbimet po i kryheshin këtu në spitalin e Durrësit, ku po kurohej nga disa mjekë. Babai pësoi dy herë goditje autoimunitare. Nuk mundi të më lërë një amanet, por ne flisnim me sy, pasi ai s’pati më fuqi të komunikonte me ne”, thotë Redi.

Ai është djali i 2 artistëve, pasi gjithashtu nëna e Redit është një violonçeliste e njohur. Ai na zbulon se i ati tij e këshillonte të mos e ndiqte rrugën e aktrimit.

Gjithashtu një fatkeqësi ka shënuar jetën e familjes Radoja. Ata u deklaruan të pastrehë, pasi shtëpia ku jetonin i kaloi ish-pronarit. Bashkia i ka ndihmuar me dhënien e një shtëpie sociale. Daljet e aktorit ishin gjithmonë e më të rralla vitet e fundit në teatër.

‘’Nuk e thërrisnin më, brezi i tij ka pasur probleme’’, thotë i biri. “Vëmendja e qeverisë ndaj artistëve të këtij kalibri ka munguar. Nuk ka qenë e duhura”, shton ai.

Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Disa nga filmat e tij janë: “Në fillim të verës” në vitin 1975, “Mësonjëtorja” në vitin 1979, “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *