Kanë dalë detaje të reja nga atentati mbrëmjes së djeshme në Vlorë, ku u qëllua me armë ndaj dy policëve Anxhelo Breshani dhe Nako Mehmetaj.
Policia ka shoqëruar deri më tani 8 persona, që mund të kenë dijeni në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi Vlorën. U bë me dije se makina me të cilën lëviznin dy efektivët e policisë ka qenë me xhama të zinj, teksa mësohet se po shkonin në banesat e tyre përkatëse.
Ndërkohë në një rrugicë janë përballur me një makinë, të cilën e kanë parakaluar. Këtu ka nisur gjithçka, ndërsa autorët dyshohet se kanë menduar se bëhet fjalë për ndonjë automjet të dyshimtë dhe kanë qëlluar ndaj tyre.
Policia po punon për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje, ndërsa fatmirësisht plumbat nuk kanë kapur asnjërin prej policëve. Automjeti i autorëve rezulton të jetë me targat të rregullta dhe policia mendohet se është shumë afër identifikimit të tyre. Dyshohet se autorët nuk e kanë ditur që kanë të bëjnë me efektivë të policisë kur kanë qëlluar me armë.