Një 47-vjeçar është arrestuar diten e sotme nga policia e Tiranës.
Ky shtetas me iniciale A.B. akuzohet për vepren penale “armëmbajtje pa leje”.
Mësohet se ky person ishte i armatosur me pistoletë, municion luftarak dhe thikë.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet, nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Klienti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 1 mjet prerës (thikë).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në rrugën “Njazi Mela”, në një lokal, ndodhej një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Klienti”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi A. B., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve luftarake dhe i municionit”, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjatë kontrollit fizik të shtetasit A. B., shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një mjet prerës (thikë).
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.