Kryeministri i ri Britanisë së Madhe do të shpallet zyrtarisht nesër, ku dy kandidatët, ish-ministrja e jashtme, Liz Truss dhe ish-ministri i financave, Rishi Sunak, prezantuan premtimet e tyre të fundit. Fokusi i këtyre premtimeve ishte padyshim zgjidhja e krizës energjitike.
Ndonëse nuk dha ndonjë detaj konkret në lidhje me masat që do të ndërmarrë, Truss deklaroi se nëse ajo zgjidhet në krye të qeverisë do të ndihmojë qytetarët të përballojnë rritjen e çmimeve në faturat e energjisë elektrike.
“Ajo që mund të them është se nëse zgjidhem kryeministër, brenda një jave do të sigurohem që të ketë një njoftim se si do ta trajtojmë çështjen e faturave të energjisë dhe të furnizimit afatgjatë. Unë e kuptoj që njerëzit janë duke luftuar, se bizneset janë gjithashtu të shqetësuara për faturat e tyre të energjisë dhe ndikimin që mund të ketë në të ardhmen e tyre. Pra, ajo që dua të siguroj njerëzit është se do të veproj”, ka thënë Truss.
Truss po ashtu u zotua se do të ulë taksat në mënyrë që qytetarët të kenë me pak detyrime ndaj shtetit për të paguar.
Nga ana tjetër, Sunak përsëriti qasjen e tij për ofrimin e mbështetjes së synuar për njerëzit me të ardhura më të ulëta dhe pensionistëve.
“Ndihma duhet të fokusohet kryesisht të njerëzit që e kanë më shumë nevojë personat me pagat e ulëta dhe pensionistët. Po ashtu ulja e tvsh-së të faturat e energjisë do të ndihmonte qytetarët të përballojnë krizën”, u shpreh Sunak.
Ish-ministri i i financave nuk përjashtoi as mundësinë për reduktimin e energjisë në ndërtesë publike, pasi situata është serioze.
“Sigurisht që ne nuk duam të jemi në atë situatë, por mendoj se është përgjegjëse të mos e përjashtojmë” u shpreh ai.
Fituesi i një gare që ka zgjatur rreth dy muaj do të shpallet nesër, ku të martën do të marrë zyrtarisht detyrën e kreut të qeverisë, duke zëvendësuar kështu Boris Johnson-in.