Policia ka shpallur në kërkim 37-vjeçarin Diego Haxhiraj, i njohur edhe me dy identitete të tjera për sulmin me armë ndaj efektivëve Anxhelo Breshani dhe Nako Mehmetaj, të dhënat e mbledhura nga hetimet dhe dëshmitë e dy efektivëve, tregojnë se nga makina tip ‘Volkswagen’ mund të jetë qëlluar me dy armë të ndryshme.
Prokuroria e Vlorës është duke kryer verifikime nëse në ngjarjen e të premtes në mbrëmje ka qenë i përfshirë edhe ndonjë person tjetër.
Burimet thanë se makina me të cilën dyshohet se udhëtonte Haxhiraj e ka hasur dy herë makinën e punonjësve të policisë, të cilët ishin jashtë shërbimit dhe po shkonin të konsumonin kafe, pasi më herët kishin qenë në palestër. Herën e parë ka qenë autori i cili i ka parakaluar pranë Spitalit Rajonal Vlorë, dhe disa minuta më pas, dy efektivët duke u futur për në qytet, pranë lagjes Partizani e kanë arritur dhe kanë bërë manovër për ta parakaluar. Gjatë kryerjes së manovrës është qëlluar të pakën 5 herë në drejtim të tyre, teksa dy punonjësit e policisë, të cilët kanë pak muaj pjesë e forcave blu kanë thënë për grupin e hetimit se nuk kishin arritur të njihnin ndonjë individ.
Vetë dy punonjësit e policisë kanë deklaruar se 37-vjeçari mund të ketë qëlluar ndaj tyre, pasi ka menduar se kishte rënë në pritë. Kjo pistë mbetet më e qëndrueshmja edhe për hetuesit pasi Diego Haxhiraj në Janar ka mbetur i plagosur në lagjen ‘Pavarësia’ dhe mund të ketë konflikte të hapura. /Klan