Një emigrant shqiptar në Angli, që punon në një “shtëpi bari” ka treguar eksperiencën e tij, që nga momenti që mori vendimin për t’u larguar dhe deri te “prapaskenat” e punës.
I identifikuar si “Personi X”, ai ka zbuluar se rri 18 orë në ditë në “shtëpinë e barit” dhe është i detyruar pasi ka borxhe për të larë.
“Kam pasur një biznes dhe më lindën problemet me borxhet. Unë zgjodha Anglinë se me çfarë kisha dëgjuar është një vend më i lehtë për të arritur. Në pamundësi për të pasur një punë timen, u detyrova të rri këtu. Unë rri 18 orë në ditë këtu, jemi disa persona. Disa rrinë brenda, disa rrinë jashtë. Këtu ka disa mundësi. Nuk është si diçka që dikush të kërcënon. Dikush të dha një opsion për të fituar. Nuk besoj që do jetë punë me vite se është diçka shumë e rëndë të rrish brenda. Në një farë forme, mua keq më vjen. Po gjithsesi jeta ndonjëherë të përplas dhe bën zgjedhja të tilla. Unë nga Shqipëria dola si shumica e çunave, nga Gjermania, Austria, Hungaria. Bëra disa punë të ndryshme derisa arrita deri këtu”, tha emigranti.
Më tej, ai zbuloi edhe detaje të udhëtimit me gomone, ku pagoi 6 mijë paund për t’u larguar deri në Angli.
“Gomonen e drejtonte një person që nuk ja kishte idenë. Udhëtimi zgjati rreth 6 orë derisa mbërritëm. Kemi qenë 38 veta, ishin 18 shqiptarë dhe 20 të huaj. Unë të them të drejtën, në momentin që hynë në ujërat anglez vjen roja që të merr. Ne na kap policia, thjesht nuk na kthen mbrapsht.
Unë nuk kam si synim të rri në Angli se nuk është ashtu siç duket nga lart”, shtoi “Personi X”./abc