Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka mbajtur fjalën e tij gjatë seancës së parë të sesionit të ri parlamentar në Kuvend.
Gjatë këtij sesioni, Balla ka konfirmuar se qeveria do të kalojë ligjin e shumë kritikuar nga opozita por, edhe faktorin ndërkombëtar për Amnistinë Fiskale deri në vlerën 2 milionë euro. Ai shton se kritikat janë të kota, pasi ky ligj do jetë garanti i ligjësimit të parave të padeklaruara, që siç ai vetë e pranoi në Shqipëri janë me shumicë.
“Ne do ta sjellim ligjin për Amnistinë Fiskale, jemi të bindur që është një domosdoshmëri në këtë kontekst të ri ekonomik të vendit dhe për të gjithë ata që kanë spekuluar për nismën, që sipas jush i hapka rrugën legalizimit të parave të krimit. Ne themi se është ligji që propozojmë garanti për ligjësimin e parave të padeklaruara dhe paregjistruara. Ne dimë të gjithë që në Shqipëri ka plot para të padeklaruara. Ligji e ndan qartësisht se cila do jenë subjekte përfituese dhe cila subjekte përjashtohen nga skema e amnistisë. Nuk ka amnisti të plotë, por vetëm për një pjesë. Unë e ftoj opozitën që të bëhet pjesë e diskutimit kur qeveria ta sjellë, në të mirë të ekonomisë së vendit dhe të një lufte edhe më të ashpër, kundër trafikimit, terrorizmit dhe pastrimit të parave”, tha Balla.