Grupi Parlamentar i PD pritet të dorëzojë këtë të martë në Gjykatën Kushtetuese padinë për Bordin e Transparencës.
Lajmi është konfirmuar ditën e djeshme nga kreu i grupit, Enkelejd Alibeaj i cili theksoi se do të kërkonte shfuqizim të ligjit mbi bazën e të cilit funksionon Bordi.
“Shqipëria mbetet në krye të listës së vendeve me çmimin më të lartë të hidrokarbureve. Kjo jo vetëm për shkak të nivelit të lartë të taksave, mungesës së reagimit nga Qeveria, por edhe për faktin se Shqipëria është nga të vetmet vende ku çmimi i naftës, benzinës apo gazit, paracaktohet nga Klubi i Oligarkëve, që qeveria e ka emërtuar si Bordin e kontrollit të çmimeve. Gjatë gjithë këtyre muajve, Klubi i Oligarkëve jo vetëm nuk ka mbajtur nën kontroll çmimet e naftës, benzinës apo gazit, por ka shërbyer si një mekanizëm korruptiv për të deformuar tregun në dëm të interesit të qytetarëve.
Për këtë arsye, dua të informoj opinionin publik se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka përgatitur dhe ditën e nesërme do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për shfuqizimin si antikushtetues të dy ligjeve mbi bazën e të cilave funksionon Bordi i paracaktimit të çmimit të naftës, benzinës dhe gazit”, tha dje Alibeaj dje në mbedhje.