Buxheti 2022, Ibrahimaj: Kemi parashikuar paketë të dytë sociale për pensionistët e familjet në nevojë

Komisioni i Ekonomisë është mbledhur për të diskutuar rishikimin e buxhetit.

E pranishme ka qenë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e cila prezantoi ndryshimet e bëra, ku theksoi se do të ketë një paketë të dytë sociale për pensionistët dhe kategoritë në nevojë.

Konkretisht parashikohet një shtyrje me 3 muaj e ndihmës prej 3 mijë lekë për pensionistët dhe familjet në nevojë, ku buxheti për këtë të fundit do të jetë 6.1 miliardë lekë.

“Ky akt normativ i përgjigjet krizës së energjisë dhe të çmimeve. Fokusi është akomodimi i mbështetjes për kategoritë. Synimi është shtrirja në kohë e paketës për të përballuar rritjen e çmimeve. Janë 6.1 miliardë lekë që do të përdoren për paketën. Ndërkohë kemi rritur pritshmërinë për të ardhurat dhe kemi ulur pritshmërinë për deficitin buxhetor. Rritja ekonomike për vitin 2022 do të jetë më shumë se 3.2%. Parashikimet tona për fundin e vitit 2022, por edhe për 2023 flasin për reduktim të rritjes ekonomike, të ndikuar më së shumti nga frika e uljes së konsumit e ndikuar prej çmimeve. Por deri më tani masat e ndërmarra kanë qenë si mburojë për të mos ulur konsumin. Një nga kostot më të mëdha për këtë vit është rritja e çmimit të energjisë elektrike, dhe ka një buxhet të jashtëzakonshëm prej 28 miliardë lekësh por që ka impakt tek familjet që të mos ulin konsumin.

Do të rriten me 13 miliardë lekë shpenzimet, më së shumti për të përballuar rritjen e çmimeve. Parashikohen masa për të ndihmuar familjet përballë çmimeve, janë parashikuar fonde për kontratat publike. Reduktohet deficiti buxhetor me 17 miliardë lekë, duke e ulur në nivelin e 84 miliardë lekë. deficiti do të jetë sa 4.2% e PBB-së nga 4.5% që ishte. Limiti i huamarrjes është 33 miliardë lekë dhe jo 50 miliardë. Borxhi publik do të jetë 70.1% e PBB-së, por parashikimet janë pjesë e rishikimeve”, tha ajo.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *