Luiza Gega është një nga kandidatet për çmimin e sportistes më të mirë të muajit nga Federata Europiane e Atletikës. Kjo për arsyen se pak ditë më parë atletja shqiptare u shpall kampione Europe në garën e 3000 metrave me pengesa.
Gega është na balotazh sëbashku me 3 atlete të tjera që u shpallën kampione në Europianin e Munihut në disiplina të ndryshme. Përveç Gegës, në këtë nominim janë edhe holandezja Femke Bol, e cila fitoi tri medalje ari në Europian, përkatësisht në 400 metra, në 400 metra me pengesa dhe në stafetën 4×400 metra. Në nominim është edhe Gina Lückenkemper, sprintierja gjermane që shkëlqeu në eventin e shtëpisë duke marrë dy të arta, respektivisht në 100 metra dhe në stafetën 4×100 metra. Gjithashtu, në këtë katërshe është edhe grekja Antigoni Ntrismpioti, medaliste e artë në 35 km dhe 20 km ecje atletike në Europian. 33-vjeçarja Luiza Gega, siç dihet, gjatë këtij viti ka thyer shumë rekorde, duke tejkaluar veten garë pas gare. Rezultatet e saj janë gjithnjë “top” për nivelet europiane dhe botërore, duke mos e vendosur për asnjë moment në diskutim kapjen e normave kualifikuese.
Votimi në faqen europiane të atletikës do të vijojë deri mesditën e së enjtes. Nëse Luiza Gega e fiton këtë çmim, do të ishte herë e dytë për të që zgjidhet si atletja më e mirë europiane e muajit, pasi siç dihet, këtë vlerësim e ka marrë edhe në janar të 2020-ës.