Edhe pse Kosova e ka prodhimin e brendshëm bruto të rreth 4.2 miliardë dollarë, llogaritet rreth katër herë më të vogël se vendi ynë (sipas të dhënave, Shqipëria e ka GDP 14.8 miliardë), duket se qeveria e Albin Kurtit nuk është treguar koprrace me shtresat në nevojë. Por ndryshe nga homologët kosovarë, qeveria e Shqipërisë është treguar dorështrënguar ndaj shtresave të goditur nga rritja e çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë.
Gjatë ditës së sotme ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, prezantoi para deputetëve të Komisionit Ekonomik, paketën e re anti-krizë, ku 6.1 miliardë lekë do të përdoren për përballimin e rritjes së çmimeve.
Ditën e djeshme kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi se qeveria e tij ka gati fondin prej 150 milionë eurosh, që do të mbështesë qytetarët pas rritjes së inflacionit. Kurti deklaroi se dje se do të subvencionojë familjet në nevojë për çmimin e energjisë, ndërsa për pensionistët dhe studentët do të ketë një ndihmë prej 100 eurosh në muaj.
Ndërsa qeveria e Shqipërisë lëvroi fondin prej 61 miliardë lekësh, e barasvlershme me 50 milionë euro. Pra, Kosova me buxhet 4 herë më të vogël sa vendi ynë, do të mbështesë qytetarët e saj katër herë më shumë se Shqipëria, duke iu ardhur në ndihmë qytetarë kosovarë në një kohë të vështirë.
Ky akt normativ i cili u miratua sot në Komisionin e Ekonomisë, është paketa e dytë sociale për përballimin e çmimeve të rritura. Kjo paketë e dytë që do të ketë përsëri fokus kategoritë në nevojë dhe pensionistët do të jetë zgjatje e paketës së parë, ku u dhanë 30 mijë lekë për 3 muaj për të pensionistët dhe familjet në nevojë për të përballuar koston e shtuar prej çmimeve.
Por këto shifra duken qesharake krahasuar me Kosovën, që në fuqi ekonomike dhe burime njerëzore, është më poshtë sesa vendi ynë. Kosova ka një popullsi të regjistruar zyrtarisht prej rreth 1873000 banorësh, ndërsa vendi sipas statistikave zyrtare ka një popullsi prej rreth 2838000.