Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mbajti këtë të martë një takim me gratë e strukturës së PL-së në degën e Tiranës.
Gjatë fjalës së tij në takim, Meta deklaroi se kemi një shtet që ka detyrime ndaj bandave të cilat përdoren për të vjedhur votat, për të kërcënuar qytetarët dhe për afera. Ai shtoi se kjo tregon se kemi të bëjmë me një qeverisje tipike mafioze, ku dhe vetë ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, ka pranuar se aksioni për kapjen e krerëve të shumëkërkuar të bandave është dekonspiruar.
“Qytetarët paguajnë taksa për pastrimin, bashkia jep tenderin dhe tonelata me plehra depozitohen pranë familjeve në atë zonë. Në errësirë digjen gjatë gjithë natës, që njerëzit mundësisht të jenë në gjumë. A është normale që të helmohen banorët? Kjo ndodh në shumë bashki të vendit. Njerëzit paguajnë taksa që të helmohen fëmijët.
Kjo është tipike një qeverisje mafioze. Është e qartë kur vetë ish-drejtori i policisë thotë se 14 persona u arrestuan nga 32 persona, pasi u dekonspirua aksioni për kapjen e krerëve të bandave. Kjo tregon që një shtet ka detyrime ndaj bandave sepse i përdor për të vjedhur votat dhe për të mbajtur nën presion qytetarët. I përdor për gjithfarë aferash”, tha Meta.