Kryeministrja e re e Britanisë së Madhe, Liz Truss ka mbajtur fjalimin e saj të parë menjëherë pas fitores. Truss ka bërë me dije se tre fusha emergjente që do të kenë prioritet gjatë mandatit të saj janë, ekonomia, energjia dhe shëndetësia.
Fillimisht, Truss tha se do të fokusohet në rritjen e ekonomisë së Britanisë së Madhe me një plan të guximshëm duke ulur taksat dhe rishikuar reformat. Truss theksoi se do të “ulë taksat për të shpërblyer punën e palodhur dhe për të nxitur rritjen dhe investimet e udhëhequra nga biznesi” si pjesë e misionit të saj për “të bëjë Mbretërinë e Bashkuar të punojë, të ndërtojë dhe të rritet”. Ajo shtoi se do të fokusohet në ndërtimin e spitaleve të reja, shkollave dhe rrugëve.
Më pas, Truss premtoi se “do të përballet me krizën energjetike të shkaktuar nga lufta e Putinit”. Ajo tha se do të “marrë veprime këtë javë për t’u marrë me faturat e energjisë dhe për të siguruar furnizimin me energji”.
Në fund, kryeministrja tha se do të siguronte që njerëzit të mund të merrnin takime me mjekë dhe të kenë akses në shërbimet e NHS që u nevojiten. “Ne do ta vendosim shërbimin tonë shëndetësor në një bazë të fortë,” tha Truss.