Një shtetas në Kosovë është arrestuar, pasi ka tentuar që të vriste gruan kur po flinte gjumë, duke e goditur disa herë me kaçavidë në kokë e pjesë të ndryshme të trupit.
Ngjarja në fjalë është shënuar dy ditë më parë, ndërsa është ndaluar shtetasi me inicialet A.K., i cili tentoi ti merrte jetën bashkëshorten së tij me inicialet F.K., teksa ajo ishte në gjumë.
Njoftimi mbi ngjarjen:
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën kompetente në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit A.K., me dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.3, lidhur me nenin 28, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria ka sqaruar edhe rrethanat në të cilat dyshohet se ka ndodhur ngjarja.
“Prokuroria njofton se rasti ka ndodhur më 12 maj 2021, në shtëpinë e të pandehurit A.K., në fshatin Rogovë, Komuna e Gjakovës, pikërisht në dhomën e fjetjes, ku kishte tentuar ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij, të dëmtuarën, F.K., përderisa e njëjta ishte duke fjetur, e godet me kaçavidë disa herë në kokë e pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 12 maj 2021.