Një 47-vjeçar është arrestuar në Korçë, pasi u kap me mallra kontrabandë.
Shtetasi me iniciale A.A., akuzohet për veprat penale “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore, të papajisur me kasë fiskale”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Uniformat blu kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale produkte kozmetike, me mbishkrime në gjuhën greke, të dyshuara të kontrabanduara.
Njoftimi i policisë:
Korçë/Goditet një rast i informalitetit dhe një rast i kontrabandës me mallra.
Ushtronte aktivitetin në një lokal të paregjistruar në organet tatimore, vihet në pranga 47-vjeçari. Gjatë kontrollit në këtë subjekt u gjetën produkte të dyshuara të kontrabanduara, të cilat tregtoheshin duke fshehur të ardhurat. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandimit me mallra dhe informalitetit, kanë goditur nga një rast të këtyre veprimtarive të paligjshme.
Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. A., 47 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore, të papajisur me kasë fiskale”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, kanë ushtruar kontroll në lokalin në përdorim nga ky shtetas, në lagjen nr. 6, Korçë, ku kanë konstatuar se 47-vjeçari ushtronte aktivitetin në këtë lokal, pa dokumentacionin përkatës dhe pa kasën fiskale.
Gjithashtu, në një nga ambientet e lokalit u gjetën produkte kozmetike, me mbishkrime në gjuhën greke, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.