Avokati Fitim Limani ka bërë me dije se 26 vjeçari E.R, i cili është një ndër pesë personave të dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares në Kosovë, është sulmuar nga të burgosurit në qendrën e paraburgimit në Prishtinë.
Avokati ka bërë të ditur se shtetasi E.R është transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.
“Po është sulmuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë nga të burgosurit e tjerë dhe është transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz”, ka thënë avokati i 26-vjeçarit
Ai ka shtuar se E.R nuk ka pësuar lëndime.
“Jo nuk ka pësuar lëndime pasi që ka qenë i menjëhershëm, reagimi i gardianëve të burgut”, u shpreh avokati Limani.
Limani bëri të ditur se rasti ka ndodhur dy ditë pasi Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.