Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka folur për problemet me rendin dhe bandat që janë jashtë kontrollit në vendin tonë.
Berisha tha se bandat janë fuqizuar nga partia në pushtet, e cila sipas tij ishte e vetmja forcë politike që erdhi në qeverisje me shenjën e drogës. Ai shtoi se kanabizimi i vendit ju dha fuqinë trafikantëve shqiptarë që të pushtojnë tregun e kokainës në Amerikën Latine.
“Në raport me sigurinë kombëtare me sigurinë e qytetarëve, rendin, jetën, në raport me veprimtarinë e Policisë së Shtetit dhe organeve ligjzbatuese ajo që ka patur efektin më shkatërrimtar në Shqipëri, ka qenë dhe është droga. Ju jeni dëshmitarë se kjo qeverisje erdhi me shenjën e drogës. Në ç’kuptim? Erdhi me skaf. Nga të gjithë politikanët shqiptarë, i vetmi në atë kohë që kishte skaf dhe i vetmi në atë kohë që u emërua Ministër. Në një akt shkatërrimtar për rendin goditën policinë kriminale, e cila ishte përballur për vite me bandat më të rrezikshme, dhe i hapën rrugë shndërrimit të Shqipërisë në Kolumbi apo në kanabistan. Analistë, media të huaja kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur se në Shqipëri këto vite u ndërtua shteti i parë dhe narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë. Ishte me pasoja jashtëzakonisht të dëmshme dhe të rrezikshme për Shqipërinë politika e kanabizimit të saj, ajo krijoi miliarda e miliarda euro me të cilat trafikantët shqiptarë u vërsulën të pushtojnë kartelet e kokainës në Amerikën Latine.
Raporti i grupit të Dublinit shprehu qartë se rruga e heroinës devijoi nga Maqedonia drejtë Serbisë. Ishte gabimi më i madh inkurajimi i kanabizimit të Shqipërisë. Do të jetë në interesin e çdo vendi që mendon të legalizojë kanabisin të studiojë Shqipërinë. Droga është krim. Asnjë komb nuk ka nevojë për të. Nuk po flas për efektet shëndetësore të saj, por me atë që bëhet armë e të fortëve, gjeneron krim çdo ditë, shkatërron ekonomi”, deklaroi Berisha.