Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dënuar sulmin kibernetik të Iranit.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Meta thekson se masa e marrë nga qeveria për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike është korrekte, por shumë e vonuar.
“Dënoj edhe një herë me forcë shkeljen e sigurisë kombëtare të Shqipërisë nga Republika Islamike e Iranit. Reagimi i sotëm i qeverisë shqiptare për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike është korrekt por shumë i vonuar.
Sulmi kibernetik dhe qëllimi keqdashës nga ky vend duhet të nxisin vigjilencën, përgatitjen dhe bashkëpunimin serioz të Shqipërisë me BE-në, në marrjen e të gjitha masave për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe vendit”, shkruan Ilir Meta.