Aktorja e njohur amerikane Jennifer Lawrence, ka folur rreth një spekulimi për një lidhje të mundshme me abuzuesin Harvey Weinstein. Ylli i “Don’t Look Up” thotë se është e çuditshme që njerëzit kanë menduar se ajo ka fjetur me 67-vjeçarin Harvey Weinstein, i cili aktualisht po vuan një dënim 23-vjeçar në një burg të New York-ut pasi u shpall fajtor për përdhunim dhe sulm seksual.
E pyetur nga “Vogue” se cila ka qenë gjëja më e çuditshme që ka lexuar ndonjëherë për veten e saj, 32-vjeçarja përmendi pretendimet për një lidhje të mundshme me producentin filmik. Aktorja ka adresuar edhe më parë thashethemet se ajo ka fjetur me Harvey-n, akuzueset e të cilit për sjellje të pahijshme seksuale përfshijnë yjet, si Gwyneth Paltrow, Asia Argento dhe shumë të tjerë.
Një padi e vitit 2018, pretendonte se producenti Harvey Weinstein mburrej me aktoren e filmit “The Hunger Games” duke thënë se: “Kam fjetur me Jennifer Lawrence dhe shiko ku është tani, ajo sapo ka fituar një Oscar”. Aktorja menjëherë hodhi poshtë pretendimet, duke thënë se raporti i tyre ishte thjesht profesional. Ajo tregon se:
“Zemra ime thyhet për të gjitha gratë që janë viktimizuar nga Harvey Weinstein. Unë kurrë nuk kam pasur asnëj tjetër përveç një marrëdhënie profesionale me të. Ky është një shembull tjetër i taktikave grabitqare dhe gënjeshtrave që ai përdori për të joshur gra të panumërta”.