Jeta mes luksit e anëtarit të “Kartelit të Ballkanit” që trafikonte kokainë nga Peruja, si u kap Kadri Gjoci në vilën luksoze me pishinë

Vetëm 28 vjeç, Kadri Gjoci, i riu nga Burreli ishte rreshtuar krah një prej trafikanteve më të njohur të “Ndragheta” në botë, Pasquale Bifulco e jo vetëm kaq.

I riu shqiptar në momentin e arrestimit, është kapur nga autoritetet peruane në një super vilë luksoze.

Në këtë rezidencë në Casuarinas, kishte lulishte të mëdha, një pishinë, një palestër dhe komoditete të ndryshme. Policia ishte në kërkim të një subjekti që njihet me pseudonimin “Tyson” për shkak të ngjashmërisë fizike me boksierin e famshëm amerikan.

Por ky Tayson, ai i trafikut të drogës, dha një lloj tjetër goditjeje. Sipas Policisë, ai ishte furnizuesi i drogës i organizatës shqiptare dhe italiane që dominon trafikun e paligjshëm të hidroklorurit të kokainës drejt Europës.

Policia peruane ka mundur ta kapë pikërisht Kadri Gjocin, shtetas shqiptar i cili i përket kartelit famëkeq “Cártel de Los Balcanes”. Arrestimi i tij ndodhi pikërisht në godinën luksoze në Surquillo. Aty pranë, në Miraflores, agjentët e Dirandro ndërhynë duke arrestuar Pasquale Bifulcon, italiani i cili është pjesë e mafies së rrezikshme “Ndrangheta”, e famshme për kontrollin e 80% të trafikut të kokainës në Europë.

Ky operacion u krye nga agjentët e Divizionit të Hetimeve Speciale të Dirandro, Divinesp. Por Pasquale Bifulco është një i njohur i vjetër në Peru.

Tetë vjet më parë ai u arrestua në San Isidro për një urdhër arresti ndërkombëtar për dërgimin e një ngarkese droge në Itali. Kontaktet e operacionit te fundit të bandës italo-shqiptare ishin aq të sakta dhe efektive sa lejuan që dy tonë e gjysmë drogë të çoheshin nga Peruja në portin e Hamburgut në Gjermani.

Ajo që trafikantët nuk dinin ishte se policia po vëzhgonte këtë ngarkesë. Agjentët e Antidrogës vijojnë hetimet për këtë rast për të identifikuar lidhjet e tjera të kësaj mafie të trafikut të drogës.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *