“Dielli nuk lind më për Mbretëreshën Elizabeth II”, Berisha i pikëlluar: Lutem që shpirti i saj të gjejë paqe

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të Mbretëreshës Elizabeth II në moshën 96-vjeçare.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha shpreh ngushëllimet për familjen mbretërore dhe vlerësimet më të larta për Mbretëreshën.

Berisha: Dielli nuk lind më për Mbretëreshën Elizabeth e II.

Të dashur miq, Elizabeth e II, Monarkja që mbretëroi më gjatë se kushdo në historinë mbretërore të Britanisë së Madhe, plot 70 vjet, ku udhëhoqi me ndere, përkushtim e dinjitet e solli mbi të gjitha stabilitet e prosperitet për vendin e kombin e saj, mbylli sytë përgjithmonë duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme vlerash mbretërore e njerëzore, një devotshmëri e integritet të pashoq që do të mbahet mend në kohëra.

Mbretëresha Elizabeth e II ishte personaliteti më i shquar dhe më i dashur e cila me virtytet, mençurinë dhe devocion 70-vjeçar në shërbim të kombit, mbretërisë të saj dhe paqes në botë u shndërrua në një nga personalitetet më të respektuara dhe më fisnike e të dashura të kohës.

Unë kam patur rastin të pritem në Pallatin e Buckingham në audiencë të veçantë nga Madhëria e saj si president i Shqipërisë. Mbeten të paharruara për mua vlerësimi i saj për përmbysjen e diktaturës staliniste në Shqipëri dhe përpjekjet e shqiptarëve për ndërtimin e demokracisë. Në vitet e mëvonshme përsëri jam takuar në pritje ceremoniale të shtruara nga Madhëria e saj.

Duke shprehur vlerësimin tim më të lartë dhe nderimin tim më të thellë për këtë Zonjë të madhe të nderuar në mbarë botën shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Madhërisë së tij Mbretit Charles, familjes mbretërore dhe subjekteve të Madhërisë saj dhe lutem që shpirti i saj i madh të gjejë paqen e amshuar. Amin. #sb

Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë në historinë britanike, ka vdekur në moshën 96-vjeçare. Lajmi është konfirmuar përmes një deklarate zyrtare nga Pallati Buckingham. Familja e saj u mblodh në pronën e saj skoceze pasi shëndeti i saj u përkeqësua më herët këtë të enjte.

Pallati tha: “Mbretëresha vdiq paqësisht në Balmoral këtë pasdite”. Me vdekjen e saj, djali i saj i madh Charles, do të udhëheqë vendin si Mbreti i ri dhe kreu i shtetit për 14 mbretëritë e Komonuelthit.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *