Shqipëria, me rritjen më të madhe të fluturimeve në Europë në gusht

Shqipëria është shteti i Europës që ka rikuperuar më shumë tregun e fluturimeve në krahasim me periudhën e para pandemisë.

Të dhënat janë bërë të ditura nga Eurostat në publikimin për fluturimet tregtare në gusht. Fluturimet tregtare në gusht 2022 nga Shqipëria u rritën me 47.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, shumë më e lartë se i dyti në listë, që është Greqia, me një zgjerim prej 5.4%, Islanda me 2.5% dhe Luksemburgu me 1.8%.

Ndërsa të gjitha shtetet e tjera vijojnë që të mbeten poshtë niveleve të fluturimeve të periudhës së para pandemisë.

Sipas Eurostat, Në gusht 2022, numri i fluturimeve komerciale në BE u rrit me 25% krahasuar me gushtin 2021. Ndërsa ky është ende nën nivelet para pandemisë, hendeku po mbyllet ngadalë (-14% krahasuar me gushtin 2019).

Në terma absolutë, numri i fluturimeve komerciale ishte 596 930 në gusht 2022, krahasuar me 478 996 në gusht 2021, 324 538 në gusht 2020 dhe 695 912 në gusht 2019.

Vetëm dy vende të BE-së shënuan rritje të fluturimeve komerciale në gusht 2022 krahasuar me gushtin 2019: Greqia (+5%) dhe Luksemburgu (+2%). Në të kundërt, uljet më të mëdha të fluturimeve u regjistruan në Slloveni (-42%), Letoni (-39%) dhe Finlandë (-31%).

Për më tepër, disa aeroporte të BE-së shënuan rritje të numrit të fluturimeve komerciale krahasuar me vitin 2019. Rritjet më të mëdha në numrin e fluturimeve komerciale u regjistruan në Napoli Capodichino (+1 156, +14%), Kerkira Ioannis Kapodistrias (+1 026, + 22%) dhe Santorini (+978, +30%). Në anën tjetër të shkallës, uljet më të mëdha në numrin e fluturimeve komerciale u regjistruan në Frankfurt Main (-10 554, -23% krahasuar me gushtin 2019), Milano Malpensa (-9 048, -34%) dhe Roma Fiumicino (-8 018,-27%)./monitor

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *