Pas takimit me diplomatët e BE-së, Vuçiç: Nuk do të ketë njohje të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën.

Vuçiç i bëri këto komente përmes një postimi në Instagram, ku po ashtu tha se është i gatshëm për një zgjidhje kompromisi me Kosovën, në përputhje me Kushtetutën e Serbisë. Në preambulën e Kushtetutën e Serbisë, Kosova përkufizohet si pjesë e këtij vendi.

Vuçiç u takua mbrëmjen e së premtes me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune. Diplomatët evropianë qëndruan të premten edhe në Kosovë, ku takuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Ishte një diskutim i thellë dhe i rëndësishëm. Besoj e kuptoni se nuk mund të japim detaje, sepse do të kemi diskutim të njëjtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç”, tha Lajçak pas takimit me Kurtin.

Siç është thënë më herët, qëllimi i vizitës së diplomatëve evropianë është shqyrtimi i opsioneve për përparim në dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, emëruan këshilltarët që të ndihmojnë në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja. Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiçit, Macron dhe Scholz thanë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

Macron dhe Scholz, po ashtu, u bënë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, siç thanë ata, çojnë drejt përparimit të dialogut./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *