Virginia Vallejo, prezantuesja më e famshme e televizionit në Kolumbi, gruaja më e dëshiruar, diva që të gjithë burrat e dëshironin, ndjeu se ajo kishte rënë marrëzisht në dashuri me atë burrë të shkurtër me pamjen e një fshatari.
Ndodhi në vitin 1982, 40 vjet më parë, në Hacienda Napoles , kur të dy ishin në krye të karrierës së tyre.
“Ishte një shpërthim pasioni, dashurie dhe egosh”, do të kujtonte Vallejo vite më vonë.
Gazetarja e njohur ishte një grua që nuk qëndroi kurrë shumë pa një mashkull në krah të saj.
Dhe mbi të gjitha nga një njeri i fuqishëm.
Është interesante se ishte i dashuri i saj, Aníbal Turbay Ayala , nipi i ish-presidentit kolumbian Julio César Turbay , i cili e prezantoi Escobarin me të.
Pablo po organizonte një festë të madhe fundjave me 230 miq në çifligun e tij të famshëm.
Një shëtitje në fshat në mënyrë që të ftuarit e tij të mund të njihen me kopshtin zoologjik të mrekullueshëm me hipopotamët, gjirafat, devetë dhe zogjtë ekzotikë që ai kishte marrë nga Puerto Triunfo.
Kur Virginia mbërriti në çifligun me partnerin esaj dhe takoi Escobarin për herë të parë, ajo u mahnit nga bujaria e tij e madhe.
Disa orë më vonë erdhi dhe ‘shigjeta e Kupidit’ .
“Atë pasdite isha gati të mbytesha dhe Pablo më shpëtoi jetën. Shkova për të notuar në një nga lumenjtë në pronë e tij, por në të cilën ndodhej një vorbull. Pashë që kishte pesëdhjetë njerëz rreth meje por askush nuk kuptoi se isha në rrezik, se uji po më thithte. As i dashuri im nuk më shikonte! Pastaj pashë që Pablo po notonte drejt meje, më përqafoi dhe më tha të qëndroja e qetë. Më shpëtoi jetën. E dija që në krahët e atij njeriu nuk kishte asgjë për t’u frikësuar’ është shprehur Virginia në një intervistë.
Ai përqafim në ujë, ai kontakt i trupave pothuajse të zhveshur, ishte fillimi i një romance të zjarrtë,të fshehtë dhe të sëmurë.
“U dashurova marrëzisht sepse pashë tek ai një burrë shumë bujar, një idhull, një Robin Hood i të varfërve’
E kulturuar, nga një familje e shoqërisë së lartë, e shkolluar në Shkollën Anglo Kolumbiane -ajo fliste në mënyrë perfekte anglisht dhe frëngjisht-, gazetarja njihte politikën dhe modën, krizat ndërkombëtare si dhe botën e argëtimit, por që pëlqente të ndjente adrenalinën e rrezikut që i rridhte në trupin e Escobar.
Një gazetar i gazetës spanjolle La Vanguardia e pyeti në vitin 2018 pse kishte rënë në dashuri me bosin e drogës, Virginia nuk hezitoi të tregonte:
“Kishte shumë gjëra. Fillimisht më shpëtoi jetën, më pas fshiu borxhet e kompanisë sime, më dërgoi një mijë orkide dhe më ndihmoi të divorcohem nga Stiveli që ishte kaq i rëndësishëm në Argjentinë. Gjithsesi, po të mos më kishte dashur me atë pasion, nuk do t’i kisha dhënë një shans. Në atë kohë mund të zgjidhja njeriun që doja”.
Pasioni ishte çelësi i asaj marrëdhënieje.
Virginia dhe Escobar ishin çmendurisht të dashuruar.
Ai ishte i mahnitur nga bukuria e saj, nga këmbët e saja të gjatë, nga sytë në formë bajame.
Për më tepër inteligjenca e saj e magjepsi bosin e drogës: ai donte që ajo të ishte pjesë e biografisë së tij.
Escobar e dinte se duhej të ishin të matur, sepse të dy ishin shumë të famshëm në Kolumbi dhe ai ishte i martuar me María Victoria Heano Vallejo , të cilën ai e adhuronte.
Por asgjë nuk kishte rëndësi për të.
Ai dilte pa rojet e tij dhe shijonte ndeshjet me dema në Plaza de La Macarena.
Ai e mori atë për të kërcyer rumba në Kevin, klubi i natës në modë në Medellin .
Escobar do t’i jepte asaj dyzet ose gjashtëdhjetë mijë dollarë në vitet 1980 – dhe do ta dërgonte në Paris ose Nju Jork , me kushtin dhe premtimin e vetëm që ajo do t’i shpenzonte ato para në një javë të vetme.
Ora e pabesueshme me diamant të firmës Cartier që Escobar i dhuroi ishte objekti që shkëlqeu më shumë para kamerave të Neëscast 24-orësh, ku ajo punonte, por që një ditë ia rrëmbyen në rrugë këtë dhuratë kaq të çmuar.
Pablo i dha asaj gjithçka që ajo dëshironte.
Një ditë ai pa që bizhuteritë nuk mjaftonin më dhe duke ditur kërkesat ekstreme të të dashurës së saj, Pablo i dha Virginia diçka që asnjë grua nuk mund ta ëndërronte në Kolumbi: kirurgji estetike.
Ai zgjodhi kirurgun më të mirë në botë brazilianin, Ivo Pitanguy.
Virginia u kthye nga Brazili me gjoks të rumbullakët, më të fortë dhe hundë përfekte.
Jeta e luksit dhe e pasionit të të dashuruarve ndryshoi përgjithmonë më 30 prill 1984 kur Pablo Escobar Gaviria urdhëroi vrasjen e Ministrit të Drejtësisë Rodrigo Lara Bonilla.
Kështu ai u bë një armik publik, një përbindësh.
Shteti e donte Escobarin të vdekur.
Kreu i kartelit u detyrua të ikte dhe të jetonte në hije.
Virxhinia nuk mund ta shihte më të dashurin e saj, as në çifligun e tij, as në pallate dhe as në fundjavë në hotelet me pesë yje në Panama.
Filluan vizitat klandestine, stresi, agresionet verbale dhe fizike.
Loja erotike në këtë periudhe shpesh përfshinte një armë.
Një skenë që Virginia e mban mend mirë është momenti kur Pablo luante me armën e tij dhe i rrëfeu asaj se kishte vrarë 200 njerëz.
Megjithatë ajo nuk ndjeu frikë dhe i ofroi atij që ti shpëtonte jetën ‘çelsat e shtëpisë së saj’
Para gazetarëve të të El Periódico , ajo e justifikoi këtë reagim:
”Vallja e jetës dhe e vdekjes është më epshore dhe erotike nga të gjitha”.
Kriza e parë e madhe, megjithatë, nuk kishte të bënte me gjakderdhjen në rritje që po zinte Kolumbinë.
Ishte një çështje xhelozie.
Virginia u tërbua me Pablon kur zbuloi se ai i kishte dhënë një gjerdan 250,000 dollarësh një gruaje tjetër.
Ishte viti 1987 kur xhelozia i destabilizoi sërish të dashuruarit.
“Vendosa ta lija atë vit, kur Pablo mendoi se po shkoja me rivalin e tij Gilberto Rodríguez Orejuela, kapo i kartelit Cali – tha ajo për La Vanguardia -. Ai u tërbua dhe filloi të tregojë fytyrën e tij të vërtetë.”
E vërteta është se Virginia ishte afruar me Rodríguez Orejuela sepse donte të fillonte një biznes kozmetike me kapon e kartelit Cali i cili zotëronte pothuajse të gjitha kompanitë në atë zonë në Kolumbi.
Por Escobar u çmend dhe lufta kishte shpërthyer.
Vite më vonë, ajo e zgjerua këtë temë, duke zbuluar probleme mes çarçafëve dhe detaje pikante:
“Pablo shpërtheu kur mendoi se e kisha tradhtuar me liderin e kartelit Cali… sepse burrat kanë frikë se i tregon tjetrit se si është në shtrat , dhe Escobar ishte një dashnor i keq… Por ai më donte mua dhe unë e doja atë. Nëse shpenzimi i dy milionë dollarëve për karburant nuk është dashuri, më thuaj çfarë është?
Që nga viti 2006, Virginia ka jetuar në Miami, ku shkoi në mërgim nën regjimin e dëshmitarit të mbrojtur për shkak se kishte dëshmuar kundër mafieve kolumbiane, karteleve të drogës dhe lidhjeve të drogës me politikën.
Gjatë viteve të tij të para në Shtetet e Bashkuara ajo kishte vështirësi financiare.
Ajo shiti bizhuteritë dhe sendet e saj argjendi që kishte sjellë për të paguar qiranë në një dhomë hoteli.
Madje siç është shprehur ajo mund të kishte përfunduar dhe e pastrehë.
Prezantuesja shkroi një libër “Loving Pablo, Hating Escobar” , i cili më vonë u bë burim për serialin Narcos dhe filmin e Javier Bardem dhe Penélope Cruz , Loving Pablo në 2017.
Gazetarja paditi Netflix në 2018, duke theksuar se seriali kishte grabitur romanin e saj biografik pa u konsultuar me të dhe pa i paguar asnjë dollar.
“Në marrëdhënien tonë kishte shumë emocione të përziera. Tek Pablo gjeta mbrojtje dhe para, ndonëse edhe e kisha frikë”, ka rrëfyer ajo në ato faqe biografike.
Pavarësisht jetës me pasion dhe adrenalinë, Pablo Escobar nuk ishte dashuria e jetës së saj .
“Ishte i treti”, ka rrëfyer ajo për gazetën kolumbiane.
“Kisha një lord anglez dhe një kont gjerman. Lordi anglez ishte i martuar dhe unë kalova 15 vjet me të. Ai më vonë u nda dhe ne mund të martoheshim por ai u sëmur dhe vdiq. Ai ishte dashuria e jetës sime për 24 vite dhe unë mbajta zi për humbjen e tij”.
Gruaja që sapo ka mbushur 73 vjeç, më 26 gusht,shprehet se “ Pablo ishte një burrë i pamëshirshëm , mendoj se nuk më vrau sepse kishte nevojë që unë të shkruaja biografinë e tij. Ne e donim njëri-tjetrin çmendurisht .”