Levandovski po aq efikas sa Suarez, kurse Barça hap gjyq me Atletikon për Griezman

Merkato e verës dhuroi jo pak surpriza, me disa lëvizje që lanë gjurmë në sensin e emrave, por kalimi i Robert Levandovskit tek Barcelona është vërtet i bujshëm. Po aq sa kalimi i Haland tek Siti dhe i Sadio Manetek Bajerni.

Por polaku e ka nisur me shpërthim golash në Katalonjë. Pesë gola në katër ndeshje të kampionatit dhe një tregolësh Champions League. Robert Levandovski e ka nisur si mos më mirë aventurën e tij te Barcelona teksa sulmuesi ka shuar të gjithë zërat kritikë në fillimin e sezonit. për polakun së fundmi vijnë elozhe edhe nga ana e shokut të skuadrës, Erik Garcia i cili e ndjek nga afër në stërvitje ndërsa shprehet se Leva është si Suarez kur vjen puna te finalizimi. “Leva është shumë i komunikueshëm, lojtarë të një kalibri të tillë janë të aftë të adaptohen kudo. Në dy apo tre ndeshjet e para sezonit nuk po shënonte dhe kishte nga ata që e kritikonin, thoshin se nuk vlen. Por, tashmë askush nuk e mban mend.

Këtu po flasim për një sulmues spektakolar, një nga ata lojtarë që ka diçka ndryshe. Në lidhje me aspektin realizues dhe se sa efektiv është, Levandovski më kujton Suarez”, u shpreh Garcia. Huazimi i Antonio Griezman nga Barcelona te Atletiko Madrid është gati të marrë një ndryshim të madh, me klubin katalanas të gatshëm të padisë homologët e tyre në Madrid për menaxhimin e minutave të lojtarit. Kjo vjen nga kushtet e marrëveshjes së huazimit, me Barcelonën që përcakton se Atletiko Madrid ishte i detyruar ta blinte lojtarin përgjithmonë nëse ai paraqitej për më shumë se 50 për qind të minutave për të cilat ishte në dispozicion gjatë sezonit të tij të parë në huazim. Sipas disa raporteve, duke përfshirë ato nga COPE dhe Radio MARCA, klubi me bazë në Madrid beson se 50 përqindja e deklaruar përfshinte të dy sezonet, me trajnerin e klubit Diego Simeone që tani e përdor lojtarin vetëm nga minuta e 60-të e tutje për t’i shpëtuar klubit 40 milionë euro.

Kjo taktikë e ka bërë Barcelonën të kërcënojë me veprime ligjore kundër Atletiko Madridit, me klubet tashmë të bllokuar në një mosmarrëveshje intensive. Ndërkohë, trajneri Ksavi Hernandez është i përqendruar tek ndeshja me Kadiz, për të marrë maksimumin. “Jemi shumë të përqendruar tek Kadiz, nuk po mendojmë aspak për ndeshjen e radhës që është ndaj Bajern i Mynihut. E kuptoj euforinë që rrethon ambientin pas rezultateve pozitive, por është vetëm fillimi. Duhet të tregohemi të përulur dhe të mendojmë për të marrë maksimumin ndaj Kadiz që është një rival i vështirë”, theksoi Ksavi.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *