Ministria e Brendshme ka reaguar pas sulmit kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit.
Në reagimin zyrtar, Ministria e brendshme deklaron se mbrëmjen e djeshme sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit kanë pësuar një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik.
Më tej thuhet se për efekt sigurie, sistemet e Ministrisë së Brëndhsme, përfshi atë TIMS, do të qëndrojnë të mbyllura derisa rreziku të shmanget plotësisht. Gjithashtu Ministria ka bërë me dije se shumë shpejt sistemi TIMS do të rifillojë punën.
“Mbrëmjen e kaluar sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik. Nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë. Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacënueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal. Për efekt sigurie sistemet tona, përfshi atë TIMS, kanë qëndruar përkohësisht të mbyllura derisa rreziku të shmangej plotësisht. Shumë shpejt sistemi TIMS do të rikthehet në punë. Maksimalisht të vendosur, bashkë me aleatët tanë, vazhdojmë punën për të bërë gjithçka duhet që sistemet tona digjitale të jenë të sigurta dhe shërbimi ndaj qytetarëve të mos ndërpritet në asnjë rast”, deklaron Ministria e Brendshme.