Parkinsoni, një sëmundje jo vetëm për të moshuar

Çfarë është sëmundja e Parkinsonit?

Parkinsoni është një sëmundje neuro-degjenerative. Në këtë sëmundje preken disa struktura të trurit të cilat janë përgjegjëse për prodhimin e dopaminës. Të prekurit nga Parkinsoni kanë sasi më të ulët të dopaminës se personat normalë.

Cili është roli i dopaminës?

Roli i dopaminës është që të bëjë të mundur kryerjen si duhet të lëvizjeve. Personat e prekur kanë vështirësi në lëvizje, kanë dridhje, ngadalësim të lëvizjeve si dhe çrregullime në mbajtjen e ekuilibrit.

Cila është shenja më e zakonshme e Parkinsonit?

Është krijuar përshtypja te njerëzit se shenja më e zakonshme e Parkinsonit është dridhja. Nuk është ajo shenja më e zakonshme. Kjo është një nga shenjat e rëndësishme të kësaj sëmundjeje por jo kryesorja. Jo çdo dridhje është Parkinson. Shënja më e zakonshme është ngadalësimi në lëvizje.

Çfarë ndodh nëse nuk kurohet?

Nëse lihet në gjendje natyrore, pra nuk kurohet, kjo mund të shkojë në invalidizim të plotë.

Çfarë formash Parkinsoni ka?

Ka disa forma Parkinsoni. Ka forma që nuk japin dridhje fare.

Nga se shkaktohet Parkinsoni?

Parkinsoni hyn në grupin e sëmundjeve të trashëgueshme. Njeriu nuk trashëgon vetë sëmundjen por trashëgon mundësinë për ta shfaqur ose jo sëmundjen. Ka disa raste, por fatmirësisht janë shumë të rralla., kur Parkinsoni kalon nga brezi në brez. Është një gen autozonal dominant i cili bën kalimin e sëmundjes nëpër breza. Faktorë që ndikojnë në prekjen nga Parkinsoni janë disa, siç është stresi për shembull. Na kanë ardhur disa raste kur u është shfaqur sëmundja e Parkinsonit pasi kanë kaluar një stres shumë të madh. Faktorë të tjerë janë edhe lëndët toksike në ambientin e jashtëm si pesticidet dhe herbicidet. Përdorimi i zarzavateve, frutave, që kanë përmbajtje të lartë pesticidesh apo herbicidesh rrit prevalencën për tu prekur nga Parkinsoni. Pra janë më të ekspozuar ndaj kësaj sëmundjeje.

Kjo do të thotë që personat që punojnë në agro-bujqësi janë më të ekspozuar?

Po. Por jo vetëm ata. Edhe familjarët e tyre edhe njerëz të tjerë. Ato produkte konsumohen nga të gjithë. Parkinsoni është më i shprehur në zonat rurale se sa ato urbane. Edhe uji i pusit është i dëmshëm pasi gjithë toksinat mund të merren me anë të ujit. Faktor tjetër është edhe mosha. Me rritjen e moshës rritet edhe mundësia për të shfaqur Parkinsonin.

Sa është raporti i të prekurve nga Parkinsoni në vendin tonë?

Ne hyjmë në vendet me prevalencë të lartë të të prekurve nga kjo sëmundje. Në studimin që shoqata e neurologëve ka bërë ka rezultuar se është 0.8 për një mijë banorë.

Sipas studimit tuaj, ku shfaqet më shumë Parkinsoni, te meshkujt apo te femrat?

Në përgjithësi janë të njëjtat shifra por me një predominim të lehtë te meshkujt.

Cilat janë grupmoshat e prekura nga kjo sëmundje?

Moshat kryesore janë mbi 60 vjeç. Kjo pasi në atë moshë numri i qelizave të trurit është më i vogël dhe prodhimi i dopaminës është më i ulët.

Si është raporti krahasuar me vendet e tjera evropiane?

Në vitin 1995 është bërë një studim nga një shoqatë evropiane. Krahasuar me vendet e tjera evropiane ne kishim pothuajse të njëjtat shifra për moshën 70-80 vjeçare. Ndërsa për grupmoshën 60-70 vjeç ne kishim dyfishin e tyre. Në kohën që është bërë studimi nuk ishte izoluar sëmundja e Parkinsonit dhe mendohej që ndikonin shumë faktorët e jashtëm.

Po sipas studimit të fundit si ka dalë ky raport?

Sipas këtij studimit shifrat janë më të larta për të gjitha grupmoshat. Edhe nga puna ime e përditshme mund të shoh se Parkinsoni ka prekur edhe moshat e reja fatkeqësisht. Ka pasur raste të prekur me Parkinson në moshën 50 vjeç, që është shumë e re për këtë lloj sëmundje.

Cilët mund të jenë faktorët që kanë ndikuar në rritjen e të prekurve në Shqipëri?

Mendoj se duhet bërë një studim i thelluar për këtë. Mund të jenë faktorët gjenetikë, ambienti i jashtëm, stresi etj. Fakti që shifrat janë rritur vitet e fundit tregon që në Shqipëri ekziston një problem.

Çfarë masash mund të merren për tu “ruajtur” nga kjo sëmundje?

Nëse është gjenetike nuk mund ta evitosh. Mund të përpiqesh të evitosh faktorët e jashtëm. As stresin nuk mund ta evitosh por mund të bësh një menaxhim të mirë të tij. Duhet kushtuar shumë vëmendje ndaj ushqimeve që konsumojmë. Kohët e fundit kemi dëgjuar shpesh për ushqime me përmbajtje të lartë helmesh, rasti i aflatoksinës te qumështi për shembull. Edhe ndotja e ambientit është faktor rëndues por për këtë nuk ke çfarë bën. Që në momentin që shfaqet Parkinsoni duhet që ta trajtosh dhe ta menaxhosh. Parkinsoni nuk hyn në grupin e sëmundjeve të shërueshme. Pra nuk ka një kurë që mund ta shërojë atë. Por është një sëmundje që nëse e kuron mund të ruash cilësinë e jetës. Nuk është një sëmundje që shkakton vdekje megjithëse mund ta përshpejtojë atë me anë të infeksioneve etj. Por nëse e kuron mund ta mbash në një gjendje që nuk të ndryshon cilësinë e jetës.

Si bëhet mjekimi i saj?

Mjekimi është tërësisht individual. Shenjat te persona të ndryshëm mund të jenë të njëjta por trajtimi është i ndryshëm. Duhen bërë kontrolle të herë pas hershme në momentin që konstatohet shfaqja e Parkinsonit. Gabimi që bëjnë më shpesh njerëzit është vetëkurimi. Nëse u jep një recetë dhe i këshillon që të bëjnë vizitë pas disa kohësh, në pamundësi për të ardhur riblejnë të njëjtët medikamente. Kjo është një gjë shumë e gabuar pasi mund të ketë efekt të kundërt.

Rastet

0.8 për 1000 banorë. Kaq persona janë të prekur në Shqipëri nga sëmundja e Parkinsonit. Ky rezultat vjen pas studimit të bërë nga Shoqata e Neurologëve. Shifrat e të prekurve janë më të larta krahasuar me vendet e tjera evropiane në të gjitha grupmoshat. Moshat më të prekura janë ato mbi 60 vjeç megjithëse ka pasur edhe raste të personave të prekur në moshën 50 vjeçare. Krahasuar me vitin 1995, kur është bërë edhe studimi i fundit për këtë sëmundje, shifrat janë rritur ndjeshëm në të gjitha moshat.

Shenjat

Simptoma kryesore e Parkinsonit është ngadalësimi i lëvizjeve. Megjithëse është krijuar përshtypja se dridhjet janë simptoma më e zaknshme e kësaj sëmundjeje kjo nuk është e vërtetë. Ka forma të Parkinsonit ku dridhjet nuk shfaqen fare. Moskurimi i Parkinsonit mund të çojë deri në invaliditet por nëse kurohet ajo mund të mbahet nën kontroll.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *