Mediat në rajon, gjatë javëve të fundit kanë shkruar për idetë e ndryshimit të kufijve të vendeve në rajonit të Ballkanit, si mundësi për të zgjidhur çështjet e mbetura si të pazgjidhura nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Shtypi në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni, ka shkruar se për këto ide kryeministri slloven Janez Jansha, vendi i së cilit merr së shpejti edhe kryesimin e radhës të BE-së, kishte dorëzuar në Bruksel një “non paper”.
Në gjuhën e institucioneve evropiane, non-paper nuk është gjë tjetër veçse një dokument joformal, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, në përpjekje për të gjetur marrëveshje për ndonjë çështje të kontestuar.
Sakaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shprehur kundër ndryshimit të kufijve. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, sipas tij, kjo ide do të mund të gjente zbatim vetëm nëse do të mandatohej nga Organizata e Kombeve të Bashkuara ose një institucion tjetër.
“Ndryshimi i kufirit është i mundur vetëm nën mandatin e Kombeve të Bashkuara, ose ndonjë institucioni tjetër”, tha Vuçiç për televizionin TV Prva, duke shtuar se pozicioni i Serbisë bazohet në respektimin e ligjit ndërkombëtar.