Një grua shqiptare që jetonte në Bronks të Nju Jorkut është përplasur për vdekje nga një makinë. Aksidenti i frikshëm ndodhi të premten mbrëma.
Paulina Nrecaj, 59 vjeç, u godit nga një Lexus SUV gri përpara shtëpisë së saj në Bronxdale Ave, në orën 18:30 të së premtes. Makina, e cila kapërceu bordurën, e përplasi atë në një gardh metalik.
Nëna e tre fëmijëve mësohet se kishte dalë për të marrë pica, tha familja e saj.
Ajo u dërgua në Spitalin Jacobi, ku vdiq pasi iu nënshtrua një operacioni, tha për “The Post” vajza e saj, Diana Nrecaj, 32 vjeç.
“Ajo ishte një grua e mirë, e ëmbël. Ajo ishte një grua shumë e dashur”, tha Nrecaj. “Ajo nuk e meritonte këtë. Ajo ishte katër hapa larg shtëpisë së saj.”
Nrecaj tha se babai i saj ishte lart në banesën e familjes kur ndodhi aksidenti dhe nxitoi në rrugë pasi dëgjoi një goditje.
“Ai zbriti poshtë dhe ishte një zotëri që mbante nënën time derisa erdhi dhe mbërriti urgjenca”, tha ajo.
Frane Nrecaj, 71 vjeç, tha se ai e ndjeu se gruaja e tij me të cilën kishte 40 vite martesë nuk do t’ia dilte.
“Ajo kishte humbur ndjenjat. Ajo ka humbur shumë gjak nga goja e saj, shumë gjak nga hunda”, tha Nrecaj.
Ai tha se gruaja e tij, me origjinë nga Shqipëria, kishte festuar së fundmi ditëlindjen e saj.
“Për mua ajo ishte një person i madh. Ajo rriti fëmijët e mi. Ajo ishte perfekte. Fëmijët ishin të lumtur në jetën e tyre. Ajo ishte e lumtur”, tha ai.
Sall Arobye, 32 vjeç, një shofer Uber që jeton matanë rrugës, e ndihmoi Nrecaj të dilte nga gardhi.
Ajo tha “A mendon se ia dola?” Unë i thash: “Po, mund t’ia dalësh. Qëndroni e fortë’”, kujtoi ai.
Ai tha se gruaja e plagosur e ka falënderuar.
“Eshte e tmerrshme”, tha ai. “Më duket sikur e kam gënjyer. Ajo nuk ia doli. Më theu zemrën.”