Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS në vendin tonë duke shtuar se tashmë sistemi TIMS është rikthyer në të gjitha pikat kufitare.
Në reagimin e tij, Rama thotë që agresorët nuk ia kanë arritur qëllimit dhe se Shqipëria ka bërë një rezistencë të fortë teknikisht.
“Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm. Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin, fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash! Dhe përtej cinizmit e përqeshjeve tipike të klubit të madh të thashethemeve digjitale, ushqyer nga ulëritës profesionistë dhe kinse strategë marrëdhëniesh ndërkombëtare, Shqipëria teknikisht ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm”, shkruan Rama.