Trajneri Edi Reja i ka nisur ftesat e para për lojtarët që do të grumbullojë në fund të shtatorit për dy ndeshjet e fundit në grup në kuadër të Ligës së Kombeve, teksa mbrojtja kthehet menjëherë në një problem në vete, sepse ka dëmtime që mund të kushtëzojnë performancën e skuadrës. Mungon madje qendërmbrojtësi kryesor, Berat Gjimshiti, si pasojë e dëmtimit, por duket se edhe lojtarët e tjerë kanë probleme, kështu që Reja po monitoron situatën me mbrojtësit e rinj, ku një pjesë si Ismajli, Kumbulla, Miha, Balliu e ndonjë tjetër duhet të tregojnë mbi 100% të kapacitetit të tyre.
Gjimshiti mungon në duelet e shtatorit
Berat Gjimshiti është padyshim një nga mungesat më me peshë te Kombëtarja shqiptare. Mbrojtësi i Atalantës nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Edi Reja për ndeshjet e shtatorit, ndërkohë që së fundmi, në lidhje me gjendjen e mbrojtësit kuqezi ka folur trajneri i Atalantës, Gasperini, i cili ka zbuluar se rikuperimi po shkon sipas planit. I pranishëm në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të ndeshjes që zikaltrit do të zhvillojnë ndaj Kremonezes, trajneri Gasperini u shpreh ndër të tjera: “Për Gjimshitin doktori më tha se fraktura po shërohet mirë, po shërohet sipas parashikimeve. Ai ka ndërruar patericën me mbështjellësen e këmbës”, theksoi trajneri, që mezi pret që Gjimshiti të kthehet në gjirin e skuadrës si element i rëndësishëm i mbrojtjes së Atalantës.
Elozhe për Bajramin
Nedim Bajrami fiton elozhet e trajnerit të Empolit, Paolo Zanetti. Në prag të ndeshjes me Romën, tekniku italian vlerësoi cilësitë e mesfushorit të Kombëtares Shqiptare dhe nuk e përjashtoi mundësinë e aktivizimit të tij titullar krah kroatit Pjaca. “Do të kisha dashur të kisha pasur në fillim Bajramin e sotëm. Ai ka aftësi të mëdha, tani e vlerësoj që po bën gjithçka për t’u rikthyer në futbollistin që është. Në Salerno ishte shumë i lëvizshëm, i rrezikshëm, skuadra e ngriti nivelin kur ai hyri më fushë. Stafeta do të jetë e domosdoshme me kalimin e kohës, por nuk është e sigurt që nuk mund të luajë bashkë me Pjacën. Dua që skuadra të ketë shumë konkurrencë në fazën sulmuese”, nënvizoi ai.
Në Turqi po rritet “armata” e lojtarëve shqiptarë
Në Turqi luan një numër i konsiderueshëm lojtarësh shqiptarë, të cilët vijnë ose nga Shqipëria, ose nga Kosova, por tash së fundmi me Rashicën edhe nga diaspora. Theksojmë se ata kanë bërë mirë dhe kanë marrë vlerësimin e duhur në mediat turke. Një supergol i Valon Ethemit i jep një pikë Istanbulsporit në transfertën ndaj Sivaspor. Ish-futbollisti i Kukësit zhbllokoi ndeshjen në minutën e 64-t me një goditje spektakolare nga distanca, megjithatë avantazhi i skuadrës nga Stambolli zgjati vetëm 15 minuta, pasi vendasit barazuan me Ulvestad. Ky është barazimi i parë në 5 ndeshje për Istanbulspor, që ka grumbulluar vetëm 4 pikë, ndërsa sot në formacion luajti edhe Jetmir Topalli, krahas Valon Ethemit. Pati minuta edhe për Sindrit Gurin, që erdhi nga stoli, por nuk ia doli të lërë gjurmë, ndërsa Kristal Abazaj mungoi për shkak pezullimi dhe Rroca vijon të jetë i dëmtuar.