OKB ka dënuar sulmet e Izraelit dhe Palestinës, ndërsa i paralajmëron se do të gjykohen për krime lufte për vrasjen e civilëve. Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ka paralajmëruar si Forcën e Mbrojtjes Izraelite ashtu edhe grupet e armatosura palestineze, se sulmet me raketa mund të përbëjnë krime lufte. Në një deklaratë të lëshuar në Gjenevë, Michelle Bachelet bëri thirrje për një hetim të pavarur për të gjitha akuzat për shkelje të ligjit ndërkombëtar, dhe për shuarje të dhunës. Ajo ka thënë se gjatë 10 ditëve të fundit, situata është alarmante. “Gjatë 10 ditëve të fundit, situata në territorin e pushtuar palestinez dhe Izrael është përkeqësuar me një shpejtësi alarmante”, përfundoi ajo.
“Situata në Sheik Jarrah në Jeruzalemin Lindor të okupuar, shkaktuar nga kërcënimet e dëbimeve me forcë të familjeve palestineze; prania e rëndë e Forcave të Sigurisë Izraelite dhe dhuna rreth xhamisë al Aqsa gjatë Ramazanit; përshkallëzimi i ashpër i sulmeve nga dhe mbi Gaza; e nxitja tronditëse e urrejtjes racore dhe dhuna në Izrael; të gjitha kanë çuar në sulme të mbrapshta dhe në rritje viktimash në territorin e okupuar palestinez dhe në Izrael”, ka thënë më tej ajo. Michelle Bachelet ka apeluar ndaj qeverisë izraelite, për të ndërmarrë hapa për të ndaluar dhunën midis kolonëve izraelitë dhe palestinezëve izraelitë në qytetet Lod, Haifa, Jaffa dhe Ramle.