Ka një intensitet të shtuar të faktorit europjano-amerikan për t’i detyruar palët Kosovë-Serbi, të pranojnë një marrëveshje përfundimtare dhe kjo buron nga nevoja e tyre për të mos patur një “front të dytë” rus në Ballkan, pas atij që po zhvillohet në Ukrainë. Kur vendet e vogla janë përpara situatash të tilla këmbëngulse të më të mëdhenjve ekziston gjithmonë rreziku i “zgjidhjeve të imponuara”, të cilat shpesh nuk janë në favor të palës më të dobët.
Ndonëse, deri tani, nuk është artikuluar hapur një opsion i tillë, ka gjasa që ai t’iu ofrohet palëve në ditët në vijim (Kosovës dhe Serbisë) si një mundësi për t’i dhënë fund, me njohje reciproke, konfliktit të tejzgjatur mes tyre. Të gjithë aktorët dhe faktorët në lojë mbeten të kënaqur, me përjashtim të Kosovës që, fatkeqësisht, sakrifikohet në altarin e interesave të më të mëdhenjve. Por kështu ka qenë qëkur fati historik i të vegjëlve dhe të dobtëve.
– Që Serbia e dëshiron ‘Ballkanin e Hapur’ kjo nuk do diskutim, sepse ajo ndihet aty e avantazhuar ekonomikisht ndaj fqinjëve të saj më të vegjël, përfshi edhe Kosovën, duke rikthyer njëkohësisht ish-Jugosllavinë e dikurshme që e humbi me luftë.
– Edi Rama është i vetëdijshëm për pasojat ekonomike nga pjesëmarrja e Shqipërisë në ‘Ballkanin e Hapur’ por, ai sheh aty motivin politik të jetëgjatësisë të tij në pushtet, si garant ndaj ndërkombëtarëve, në një Marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.
– BE, që nuk ndihet e gatshme t’i përfshijë këto vende në strukturat e saj, gjetja e një formule të tillë ‘sui generis’ është mëse e mirëpritur; i mban këto vende afër por, nuk i fut brenda.
– Rusisë gjithashtu i intereson që zgjidhja e konfliktit shqiptaro-serb të shtrihet, si precedent, edhe në marrëdhëniet e saj me fqinjët, dikur ish-republika të BS, me të cilat ka konflikte të ngjashme.
– Amerikanët kërkojnë vetëm stabilitet në këtë pjesë të botës (Ballkan) për të shmangur shpenzimet e mundëshme, njerëzore dhe materiale, nëse rajoni përfshihet në konflikte të nxehta.
Prandaj dyshohet që interesi i përbashkët i të gjithë këtyre aktorëve mund të jetë ky: – Serbia ta njohë Kosovën si shtet më vete, me kushtin që ajo të aderojë në ‘Ballkanin e Hapur’.
Kosova, kështu siç është, ka sovranitet të kufizuar. Në Kushtetutën e saj ajo e ka të ndaluar të ‘bashkohet me një shtet tjetër’ dhe këtu të gjithë e kuptojnë se bëhet fjalë për Shqipërinë. Ndonëse ajo ka pakica kombëtare, si të gjitha shtetet europiane, Kushtetuta e saj u ka njohur atyre ‘vende të rezervuara’ (pra numër deputetësh më shumë nga sa është popullsia e tyre). Flamuri i saj është me gjashtë yje, për të theksuar multietnicitetin e saj, ndërkohë që shqiptarët aty janë më shumë se 90% e popullsisë. Vendosja e një kufizimi tjetër në sovranitetin e saj (kushtëzimi i pjesëmarrjes në Ballkanin e Hapur), për të mëdhenjtë nuk ka shumë rëndësi.
Pra, opsioni i tentuar i ndarjes së Kosovës, mes Shqipërisë dhe Serbisë, si kusht për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb, mund të zëvendësohet me opsionin e njohjes nga Serbia, të kushtëzuar me pjesëmarrjen e saj në ‘Ballkanin e Hapur’.
A duhet ta pranojë Kosova një opsion të tillë? Që ta kundërshtojë duhet të ketë me vete gjithë faktorin e unifikuar shqiptar në Ballkan, që realisht nuk e ka. Ja pse diplomacia serbe kapi më parë atdheun e shqiptarëve, Shqipërinë londineze, në këmbim të mbështetjes prej saj të së majtës pragmatiste për të mbajtur gjatë pushtetin në Shqipërinë e cunguar londineze.