Një 13-vjeçar dyshohet se trafikonte emigrantë të paligjshëm me një makinë të vjedhur për përfitime personale.
Mësohet se i mituri do të përfitonte një shumë prej 350 eurosh, të cilat do i mblidhte për një linjë nga Kavalla në Selanik. Këtë e ka bërë të ditur e dashura e tij 17-vjeçare, e cila është arrestuar si pasagjerja e mjetit të caktuar dhe i ka kërkuar falje hetuesit.
Mediat greke raportojnë se 17-vjeçarja është lënë e lirë me kusht që t’i jepet kujdestaria e të miturve, ndërsa 13-vjeçari është në kërkim nga autoritetet policore, pasi ka mundur të arratiset.
Ky rast i trafikut të paligjshëm të emigrantëve u zbardh nga policia e Selanikut, kur pasditen e së shtunës së kaluar një makinë që lëvizte në Egnatia Odos (në rrugë me pagesë Analipsi) u pikas me tre emigrantë nga Siria.
Pas sinjalit të policisë drejtuesi i mjetit, 13-vjeçari nuk ka ndaluar por është larguar me shpejtësi. Më tej raportohet se ai është përplasur me hekura mbrojtëse, për pasojë ka mbetur i plagosur lehtë njëri prej emigrantëve të paligjshëm.
17-vjeçarja është arrestuar në vend, ndërsa drejtuesi i mjetit ka braktisur makinën dhe është zhdukur. Në kërkim të faljes, e pandehura e mitur ka treguar se në drejtim të mjetit ishte i dashuri saj 13-vjeç, duke thënë se është bindur nga dy emigrantë që të kryejë transportin për para. Teksa kërkoi falje, ajo nuk dinte asgjë për transportin, ndërsa mjeti i përdorur, sipas saj, është i tezes dhe e kanë marrë pa pëlqimin e saj.