Stërvitja ‘Defender Europe 2021’ është zhvendosur në Gjirin e Dukatit, ku polumbarë amerikanë dhe shqiptarë kanë kryer zhytje të shumta. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka publikuar pamjet që tregojnë polumbarët që zhyten në thellësinë e tabanit detar ku ndodhet anija spitalore “PO” e mbytur gjatë Luftës së Dytë Botërore pasi u godit nga ushtria britanike.
“Në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 21” polumbarët amerikanë dhe shqiptarë u zhytën në thellësinë e tabanit detar në Gjirin e Dukatit ku ndodhet anija spitalore “PO” e mbytur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bashi (pjesa e përparme e anijes) ndodhet në 16 metra thellësi, ndërsa kiçi (pjesa e pasme) në 37 metra thellësi”, shkruan ministri Peleshi.
Brigjet shqiptare shfrytëzohen për të parën herë për stërvitje që pas Luftës së Dytë Botërore për zhvillimin e aftësive të trupave aleate për zbarkimin nga deti.