Trajneri i Bajernit të Mynihut, Julian Nagelsman, është deklaruar në prag të ndeshjes kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve. Tekniku tha se katalanasit tani kanë një ekip krejtësisht ndryshe, pasi kanë transferuar disa futbollistë cilësorë. “Sigurisht, unë e njoh mirë Barcelonën. Ata nënshkruan me disa lojtarë të mirë – për shembull Levandovski.
Tani është një ekip krejtësisht i ndryshëm në krahasim me atë që pamë në 3-4 ndeshjet e fundit me ne. Barcelona vepron në mënyrë agresive dhe në mbrojtje me një linjë të lartë, ata kanë mesfushorë si Gavi dhe Pedri. Ne kemi një lojë të vështirë përpara nesh”, tha Nagelsman. Ndeshja do të zhvillohet sot, ora 21:00, në “Allianz Arena”. Kjo ndeshje i takon raundit të dytë në Grupin C. Në takimet e para Bajerni mposhti Interin në transfertë 2-0 kurse Barcelona fitoi ndaj Viktoria Plzenit thellë 5-1.